Sonte në ‘Jeta në Kosovë’: Dy Ekstremet e Kosovës, Uta Ibrahimi e Lavdrim Muhaxheri

Për shkak të ndryshimit të skemës programore, këtë javë, emisioni ‘jeta në Kosovë’ jepet në termin tjetër, të premten në orën 20:10.

Në emision do të shfaqen pamje ekskluzive nga xhirimet amatore për disa nga momentet më interesante që i kishte përjetuar Uta Ibrahimi gjatë rrugës deri kur arrin ‘pushtimin’ e Malit Everest, pikës më të lartë në botë prej  8848 metra.

Në pjesën e dytë do të transmetohet një debat me përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, ekspertë të sigurisë dhe komunitetit lokal në Kaçanik rreth Lavdrim Muhaxherit, liderit të shqiptarëve në grupin terrorist ISIS për të cilin javë më parë u raportua se u vra në frontin e luftës në Mosul.

Në këtë debat, përfaqësues të BIK tregojnë pse vdekja e raportuar e Lavdrim Muhaxherit u njoftua nga minarja e xhamisë në Kaçanik dhe kush tjetër nga figurat e njohura shkoi për ngushëllime në familjen Muhaxheri.

Të ftuar për të debatuar janë: Vedat Sahiti nga Bashkësia Islame e Kosovës; Valdet Hoxha, Zëvendës Ministër i Punëve të Brendshme; Bekim Jashari, imam dhe redaktor i Fol Tash; Ardiana Tusha nga Këshilli Rinor në Kaçanik; Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë dhe Musli Verbani, ish-imam në Kaçanik.

Ndërsa në pjesën e tretë, emisioni trajton dëmet që kanë pësuar bujqit kosovarë nga fatkeqësi të ndryshme natyrore.