Sokol Zogaj, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Sokol Zogaj Nuk Është në Dijeni për Lirimin e të Dyshuarit për Sulmin Ndaj Tij

Gjatë ditës së sotme është raportuar se 37 vjeçari me inicialet B.A., i cili dyshohet për sulmin kundër drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, është liruar nga autoriteteve gjermane.

KALLXO.com kontaktoi me Zogajn në lidhje me rastin por ai tha se nuk është njoftuar për një gjë të tillë.

“Unë nuk jam njoftuar zyrtarisht se personi që më ka sulmuar është liruar. Jam njoftuar nga ana e mediave por asgjë zyrtare nuk kam”, tha Zogaj.

KALLXO.com kontaktoi edhe ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili tha se informatën për lirimin e të dyshuarit për sulmin ndaj Zogajt e ka marrë në mënyrë jozyrtare.

“Jam njoftuar por jo zyrtarisht, jam njoftuar nga kanalet e tjera mirëpo zyrtarisht nuk jam njoftuar”, tha Tahiri.

Ai tregoi se çfarë hapash do të merren në lidhje me rastin.

“Tash normalisht pas këtij rasti më duhet me u konsultu me zyrën ligjore dhe me akterët e tjerë, që të shikojmë se cilat janë hapat që do ndërmerren më tutje që ky person me dalë para drejtësisë. Dhe normalisht çfarëdo instrumenti ligjor që do të jetë në dorën tonë si institucion do ta shfrytëzoj deri sa t’ia arrijmë qëllimit që personi të dalë para drejtësisë për veprën që ka bërë”, tha Tahiri.

Ai tregoi edhe se kanë nënshkruar letrën për ekstradimin e 37 vjeçarit me inicialet B.A., i dyshuar për sulmin.

Në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet gjermane kanë arrestuar të dyshuarin për sulmin ndaj Zogajt.

Drejtori i SHKK-së, u sulmua më 16 gusht të vitit të kaluar, në hyrje të banesës së tij.

Nga sulmi Zogaj kishte marrë lëndime trupore.