Foto: ICTY/Reuters

Slobodan Praljak: Mbrojtja e Vetes Duke Shtrembëruar Historinë

“Kush jam unë dhe çfarë jam unë?”

Ish gjenerali kroat i Bosnjës, Slobodan Praljak, paraqet veten ironikisht në ‘doracakun’ e tij prej 800 faqesh të titulluar ‘Si të bëheni një kriminel i përbashkët’, të cilin shoqëria e tij e dërgoi te BIRN në mars të këtij viti pasi ai u ankua kundër dënimit.

Në hyrje, Praljak e përshkruan veten si “‘nacionalist’ mesatar nga Kroacia, një ‘nacionalist kroat’” dhe një kandidat i mundshëm për t’u dënuar pasi ka qenë pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale.

Dhe me të vërtetë ai u dënua, pak para se të bënte vetëvrasje të mërkurën e kaluar në sallën e gjyqit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, ICTY.

Praljak u dënua me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit, kryer kundër civilëve boshnjakë dhe të burgosurve të luftës gjatë konfliktit të viteve 1990.

ICTY-ja vendosi që këto krime përfshijnë dëbimet e detyruara të boshnjakëve nga komuniteti kroat (më vonë Republika) e Herceg- Bosnje, një entitet kroat i panjohur në Bosnje dhe Herzegovinë në kohën e luftës, si dhe arrestime, vrasje, tortura, shkaktim të terrorit mbi civilët dhe përdorimi i të paraburgosurve si rob për punë dhe si mburoja njerëzore.

Nëntitulli i librit të Praljak, i cili u publikua në faqen e tij të internetit dhe u dërgua në BIRN në versionin kroat dhe anglez, shton me ironi: “Me udhëzime se si të mendosh (mens rea) dhe si të veprosh (actus reus) në mënyrë që të shpallesh anëtar i një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë”.

ICTY të mërkurën e shpalli atë përgjegjës për kryerjen e krimeve të tij si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale të kryesuar nga Presidenti i Kroacisë, 1990, Franjo Tuxhman.

Pasi dëgjoi se ai ishte dënuar, Praljak piu helm dhe vdiq më vonë atë ditë.

Vetë libri është një zgjatje e ndërgjegjes, duke paraqitur perceptimin e vetë Praljakut për të vërtetën historike, duke u përpjekur të zbardh krimet që janë kryer dhe duke e larguar vëmendjen nga faktet e vendosura nga gjykata e OKB-së, larg nga vetja dhe veprimet për të cilat ai u shpall përgjegjës.

Praljak e fillon librin e tij disa dekada para konflikteve të viteve 1990, duke ofruar interpretimin e tij të historisë së Luftës së Dytë Botërore, duke pretenduar se disa anëtarë të bllokut antifashist – BRSS dhe Jugosllavia komuniste – nuk ishin në fakt antifashiste. Sipas përkufizimit të tij, komunizmi është vetëm një pjesë e fashizmit.

Në dënimin tij të Jugosllavisë dhe udhëheqësit të saj, Josip Broz Tito, Praljak ofron shifra shkencërisht të paprovuara për sasinë e vdekjeve që regjimi komunist shkaktoi duke vrarë bashkëpunëtorët dhe civilët fashistë.

Ai gjithashtu paraqet një listë të kroatëve që janë konfirmuar ose dyshohet se janë viktima të Shërbimit të Sigurisë Shtetërore Jugosllave, i njohur më mirë nga akronimi famëkeq, UDBA.

Por ajo që nuk përmendet, është se i ati i tij, Mirko Praljak, ishte një anëtar i shquar i Departamentit për Mbrojtjen e Popullit, OZNA, i cili luftoi kundër forcave rebele fashiste në zonat e kontrolluara në Partizan, dhe një zyrtar i UDBA-s në qytetin boshnjak të Mostarit.

Praljak vazhdon të shkruaj për vitet 1990, duke i dhënë të gjitha rastet që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë. Ai fokusohet në rolin e Jugosllavisë, ose më saktësisht Serbisë dhe udhëheqësit të saj Sllobodan Millosheviq, kur flet për atë se kush është përgjegjës.

Slobodan Praljak, fotografi nga viti 1991, në vijën e frontit në Kroacinë qendrore. Foto: Beta

Ai gjithashtu i jep një goditje komunitetit ndërkombëtar pasi kritikon Rezolutën 713 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të shtatorit të vitit 1991, për të cilën shprehu “shqetësim të thellë” për luftimet në Jugosllavi dhe kërkoi një embargo të plotë mbi armët.

Praljak argumenton se kjo kishte për qëllim ndalimin e marrjes së armëve nga Kroacia në mes të luftës kundër serbëve kroatë rebele, të cilët po ndihmoheshin nga Ushtria Popullore Jugosllave.

Në një fragment që synon të shpjegojë me sarkazëm karakteristikat kombëtare që shtrihen pas politikës së rezolutës së OKB-së, ai shkruan në përkthimin në anglisht të librit:

“Mirë, rusët dhe serbët tregojnë dashurinë e tyre publikisht, francezët si serbët ([presidenti francez] François Mitterrand e shpreh këtë publikisht), mirë, anglezët nuk i pëlqejnë askujt, e lere më kroatët, Jugosllavia pëlqehet nga të gjithë, por amerikanët, amerikanët, amerikanët … John Ford dhe John Wayne duhet të kthehen në varret e tyre nga gjithë kjo betejë për drejtësi.”

Duke paraqitur interpretimin e tij të luftës, Praljak ofron shumë harta, duke treguar trupa dhe forca të ndryshme, sulme dhe kundërsulme.

Ai përfshin një hartë të reduktuar të Shteteve të Bashkuara që ka 26 për qind të territorit të saj të pushtuar nga pushtuesit nga Meksika, Kuba dhe Atlantiku, që i korrespondon të njëjtës sasi të territorit kroat që ishte pushtuar nga serbët në vitin 1991.

Praljak këmbëngul që Kroacia luajti një rol pozitiv në luftërat jugosllave, duke thënë se ishte një nga të parat që e njohu Bosnjën dhe Hercegovinën.

Ai gjithashtu ofron grafikone dhe tabela të të dhënave që tregojnë ndihmën humanitare të Kroacisë ndaj Bosnjës dhe numrin e refugjatëve apo të plagosurve që Kroacia pranoi nga Bosnja.

Megjithatë, libri i tij nuk përmend faktin se forca ushtarake kroate të Bosnjës, Këshilli Kroat i Mbrojtjes, HVO, selia kryesore e të cilit ka urdhëruar, bllokimin e ndihmës humanitare për boshnjakët, veçanërisht në Mostarin lindor.

Praljak gjithashtu nuk arrin të specifikojë se si Kroacia financoi HVO-në gjatë konfliktit të saj me Ushtrinë Boshnjake të Bosnje dhe Hercegovinës, në një kohë kur u kryen krime në shkallë të gjerë. Ai më tej nuk arrin të specifikojë se ai ishte në listën e pagave të Kroacisë në të njëjtën kohë kur u themelua ICTY.

Në një përpjekje për të mbrojtur veten dhe Kroacinë, ai nuk e përshkruan rolin e zyrtarëve më të lartë kroatë në veprimet që çuan në krime dhe pjesëmarrjen e tij në takimet në të cilat u diskutuan këto veprime, siç ka vendosur edhe ICTY.

“Dhoma thekson se gjatë këtyre takimeve, Slobodan Praljak nuk ishte i informuar vetëm për politikën e Kroacisë ndaj Bosnjë Hercegovinës, por gjithashtu e përkrahte atë dhe kontribuoi në diskutime”, tha vendimi i gjykatës së shkallës së parë të ICTY në gjykimin e vitit 2013.

Në libër, Praljak shkruan gjerësisht për rolin e përfaqësuesit boshnjak të presidencës boshnjake të kohës së luftës, Alija Izetbegoviq. Ai i referohet Izetbegoviqit si një “mashtrues”, duke e paraqitur atë si një nga udhëheqësit më përgjegjës për konfliktin, duke e akuzuar atë për tradhti ndaj marrëveshjeve dhe komplotimin e vazhdueshëm, madje edhe me serbët.

Një pjesë e rëndësishme e librit të tij merret me krimet boshnjake kundër kroatëve, disa prej të cilave tashmë janë dokumentuar, edhe pse të tjerat nuk janë dokumentuar.

Ai përqendrohet shumë tek muxhahedinët, luftëtarët e huaj islamikë që erdhën për të luftuar në anën boshnjake, disa prej të cilëve ishin përgjegjës për një sërë mizorish, sipas një aktakuze të prokurorisë së shtetit të Bosnjës.

Praljak përfundon librin e tij me një prezantim mbi “sjelljen njerëzore në trazirat civile dhe në luftë”, duke përmendur shembujt e uraganit ‘Katrina’ të vitit 2005, ndërprerjen e energjisë elektrike të Nju Jorkut në vitin 1977, vrasjen e autorit holandez Theo van Gogh në vitin 2004, trazirat e vitit 2005 në Paris dhe masakrën ‘My Lai’ të vitit 1968, kur ushtria amerikane vrau mbi 300 civilë vietnamezë.

Këta shembuj, shpjegon ai, tregojnë se policia dhe forcat e armatosura janë të papërgatitura dhe jo të gatshme për të reaguar në mënyrën e duhur ndaj trazirave dhe fatkeqësive natyrore, madje edhe në vendet paqësore.

Masakra ‘My Lai’ tregon se si “edhe ushtria profesionale mund të dalë jashtë kontrollit dhe të kryejë një masakër pa urdhër të eprorëve”, përfundon Praljak, sikur të ishte në gjyq duke dhënë deklaratën e tij përfundimtare para gjyqtarëve.