Skënder Hyseni për Numrin e Kosovarëve që po Luftojnë në ISIS

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Skënder Hyseni, dha sot një shifër për të cilën tha se është e përafërt të kosovarëve që po luftojnë krah organizatës terroriste ISIS në Siri dhe Irak.

“Numri i përafërt i atyre që aktualisht janë në Siri dhe Irak është 100, ndërkaq janë deklaruar si të vrarë rreth 40”, tha Hyseni.

Sipas tij, Kosova nuk mund të jetë imune ndaj terrorizmit dhe pjesëmarrjes në luftëra të dhunshme sikurse vendet e tjera të botës.

“Kosova nuk posedon asnjë informacion kredibil për ndonjë rrezik imanent. Mirëpo Kosova sillet sikur të kishte informacione të tilla, sepse ka institucione, kredibile, serioze të sigurisë”, theksoi Hyseni.

Ai deklaroi se luftimi i dukurisë së terrorizmit nuk mund të arrihet pa bashkëpunim ndërkombëtar.

“Kosova është pjesë e familjes së vende të lira, e demokratike të botës dhe rrjedhimisht krimet e natyrës transnacionale siç është terrorizmi, pastrimi i parave, trafikimi me qenie njerëzore dhe trafikimi i drogës janë fenomene që vështirë mund të luftohen pa një bashkëpunim të ndjeshëm substancial, sistematik, ndërkombëtar”, tha ministri Hyseni.

Hyseni bëri me dije se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Interpol, dhe se kjo kërkesë është duke u shqyrtuar.