Skender Hyseni Ftohet të Raportojë për AKSh-në

Sipas kryesuesit të këtij komisioni, Fadil Demaku, një gjë e tillë është me interes shumë të madh si për anëtarët e komisionit ashtu edhe për qytetarët në  vend.

Ministri i Punëve të Brendshme u kërkua të raportojë në komision javën e ardhshme pas shfaqjes se disa incizimeve nga portalet në vend të një grupi të armatosur që thuhet se janë Armata Kombëtare Shqiptare (AKSh).

Ky grup në këto video pretendoi se është aktivizuar për shkak të formimit të komunave me shumicë serbe dhe strukturave paralele në veri.

“Se sa është shfaqje autentike është një pyetje e madhe, sepse edhe nëpër portale mund të manipulohet me fotografi me kumtesa të ndryshme. Sidoqoftë institucionet duhet të merren më këtë gjë, organet e sigurisë dhe të drejtësisë për ta zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarjeje,” tha Anton Quni, deputet nga radhët e LDK-së dhe anëtar i komisionit.

Sipas tij, një shfaqje e tillë është e dëmshme për imazhin e Kosovës.

“Me siguri nga ministri ne do të kërkojmë të trajtohet edhe kjo çështje dhe të shohim se çfarë informatash kanë ata dhe policia,” tha Anton Quni.

Por Fadil Demaku tha se ftesa e ministrit Hyseni në komision më tepër lidhet me çështje të sigurisë dhe si dhe me sulmet terroriste që kanë ndodhur në vendet e BE-së.

“Ka pasur zhvillime dramatike të këtyre veprimeve në kohët e fundit dhe duke e pasur parasysh që edhe Kosova është pjesë e Evropës në kuptimin e plotë të fjalës, neve na intereson të dimë se sa mund të jemi të rrezikuar dhe se sa janë marrë veprime nga institucionet e sigurisë dhe se si është gjendja në këtë drejtim,” tha Demaku.

Edhe Demaku dyshoi në videot e shfaqjes së AKSh-së.

“Ajo është vetëm si një shfaqje që ne nuk mund të prononcohemi se a ka diçka të vërtetë apo s’ka, edhe nga ajo që ne e kemi marrë si opinion, është diçka që  apsolutisht nuk i duhet vendit tonë dhe as nuk i shërben  askujt,” tha Demaku.

Megjithatë, kryetari i komisionit tha se gjithsesi do të ketë pyetje për ministrin edhe në lidhje me shfaqjen e AKSh-së.