Skender Hyseni, Ministër i Punëve të Brendshme I Foto: Kallxo.com

Skender Hyseni Flet për ‘Vrasjet Politike’

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka hapur letrat sot gjatë raportimit të tij në Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane dhe ka folur për ato që në opinion cilësohen si vrasje politike të pasluftës.

Ai është nxitur të flasë për këto vrasje pasi anëtari i këtij komisioni, Xhavit Haliti, i cili tha se është duke u bërë “propagandë e madhe” për to.

“Nuk e di sa janë zbuluar e sa jo. Sa ka bërë MPB për këtë? Por është mirë te merremi me këto raste”, tha Haliti.

Ndërsa ministri Hyseni diskursin e hapur këto ditë, sidomos pas katër letrave të Presidentit Hashim Thaçi drejtuar prokurorisë, e cilësoi si “të çoroditur”.

“Unë mendoj që është diskurs i çoroditur, kur secilit që i teket flet për vrasjet politike”, tha Hyseni para se të dalë te një rrëfim personal.

Ai tha ta ketë marrë një telefonatë nga një i burgosur në burgun e Dubravës.

“Kam pas marrë një telefonatë nga një i burgosur në Dubrave, që më ka thënë “m’fal se kam dashtë me të vra njiherë”, tha Hyseni.

Ai u shpreh se nuk është në dijeni kush ka dashur ta vrasë atë, por kujtoi se ka qenë në veturë me ish Presidentin Ibrahim Rugova në momentin kur ndaj tij kishte një përpjekje për atentat në mars të vitit 2005.

Atëbotë, Hyseni ka qenë këshilltari kryesor politik i Presidentit.

“Një javë s’kam dëgju mirë nga detonimi i atij shpërthimi”, shtoi Hyseni.

Por ai u pajtua për domosdoshmërinë e hetimit të atyre rasteve.

“Këto vrasjet politike ose tentim vrasjet politike duhet te zgjidhen patjetër dhe do të zgjidhen, por ne e dijmë se si janë vendosur sistemi i drejtësise nga 1999 e këndej. Pajtohem qe këto vrasje duhet të zgjidhen urgjentisht”, tha Hyseni.