Skema e Fajdeve, Kamata sa Trefish Borxhi

Një hetim disamujor i policisë ka zbuluar mënyrën se si tre të dyshuar zhvatën mijëra euro nga një familje në emër të fajdeve.

KALLXO.com ka siguruar një kopje të vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Vehbi Kashtanjeva, me të cilin dy nga tre të dyshuarve për fajde u është caktuar masa e paraburgimit.

Vendimi shpjegon pretendimet e prokurorisë për  metodën  me të cilën tre të dyshuarit kishin organizuar biznesin e fajdeve.

Ndër të tjera, prokuroria pretendon se  E.A., banor i lagjes “Kodra e Trimave” në Prishtinë i kishte dhëne 19 mijë euro me fajde viktimës K.M. ndërsa për kthimin e këtij borxhi kishte llogaritur një kamatë marramendëse prej 64 mijë euro.

Fajde sipas prokurorisë për K.M. kishte ofruar edhe Rr. S. i cili sipas vendimit të gjykatës në rastin më të rëndë kishte dhënë fajde 20 mijë euro me kamatë 1000 euro në muaj.

“Në këtë rast për shkak të mospagesës, borxhi  kishte arritur në 45 mijë euro”, shkruan në vendimin e gjykatës.

Në një rast tjetër, sipas prokurorisë, E.A. dhe B.A. ishin marrë vesh që  viktimës K.M. t’ia japin borxh 3 mijë euro me kamatë dy javore 700 euro ndërsa një borxh tjetër prej  600 eurosh i ishte rritur në 2 mijë euro.

Siç shkruhet në vendimin e gjykatësit Kashtanjeva tre të pandehurit kanë mohuar se kanë dhënë para me fajde.

“E.A. ka pranuar para gjykatës se ka dhënë hua 3 mijë euro dhe një veturë në vlerë prej 18,650 euro por për të njëjtat nuk ka kërkuar kamatë”, thuhet në vendim.

Pretendime të njëjta ka ngritur edhe Rr.S.

“Është e vërtetë që të dëmtuarit B.M. i kam dhënë hua 20 mijë euro në afat kthimi për tre muaj por nuk i kam kërkuar kamatë”, ka thënë ai para gjykatës.

I pandehuri i tretë i B.A. ka deklaruar se i ka shitur viktimës një veturë Audi A8 paratë e të cilës ende nuk i ka marrë.