S’ka Kush t’i Lëshojë Videot, Shtyhet Seanca

Seanca e gjykimit ndaj Alfred Zylfajt, Shaqir Kuqit, Mehmet Krasniqit, Shkelzen Dervishollit dhe Isuf Sllamnikut, është shtyrë për shkak të mungesës së personit përgjegjës për lëshimin e videove.

Seanca fillimisht ishte paraparë të fillonte në orën 9:00, por ajo nuk filloi deri në ora 11:00, para se të shtyhej përfundimisht.

Avokati Bahtir Troshupa tha se kjo është një mungesë e organizimit të gjykatës.

“Seanca është dashur të fillojë në orën 9 dhe sipas rendit procedural është dashur të shikohen disa video nga vendi i ngjarjes, mirëpo arsyetimi i gjyqtares rreth orës 9 e 40 ishte se eksperti i IT-së është në trajnim. Këto janë dështime organizative dhe këto veprime është dashur të ndërmerren dy ose tri ditë më herët”, tha Troshupa.

Të akuzuarit akuzohen për veprën penale të vjedhjes grabitqare, që kishte ndodhur në vitin 2010  në Vragoli të Fushë-Kosovës, ndërsa i vdekur në këtë rast kishte mbetur Rasim Gashi.

Seanca e radhës u caktua për më 25 maj.