Mbishkrimet në rrugët e Prishtinës

‘S’ka Babë, ka Ide’- Grafite të Reja në Prishtinë

Debatet në Lëvizjen Vetëvendosje jo vetëm që s’po ndalen, ato veç po thellohen. Intervista e djeshme e kryetarit të kësaj partie, Visar Ymeri veç sa u ka kontribuuar ndarjeve edhe më të thella në këtë parti opozitare.

Derisa Ymeri refuzoi që të hënën t’u përgjigjet mbi 20 gazetarëve që pritën me orë të tëra në zyrat e Vetëvendosjes, ai mbrëmë shpërfaqi shumë gjëra të kësaj partie.

Sipas tij, Vetëvendosje nuk mund të privatizohet nga Albin Kurti dhe nuk duhet të lidhet me individë, e rrjedhimisht as me Kurtin, e që la të nënkuptohet edhe pse nuk e tha haptazi, që ai po ‘rreshtohet’ në krahun e Molliqajt.

Kërkesa e tij për të mos shkruar në rrejte sociale, iu kthye boomerang gjatë ditës së mbramë.

Shumë deputetë e aktivistë të kësaj partie e akuzuan Ymerin mbrëmë, se ai nuk e përfaqësoi Vetëvendosjes në këtë intervistë publike. Madje kishte aktivistë që i kërkuan edhe dorëheqjen.

“Në këtë kuptim çka tha sot Visar Ymeri nuk është qëndrimi i shumicës në Lëvizjen Vetëvendosje. Madje ato janë të njëanshme dhe nuk paraqesin të vërtetën e plotë. Kush thirret në unitet nuk pranon kushtëzimet”, ka shkruar mbrëmë LIburn Aliu në Facebook.

E me Visar Ymerin nuk u pajtua as deputetja tjetër, Fitore Pacolli, e cila u është kundërpërgjigjur fjalëve të Ymerit, që tha se në rast të kandidimit të Kurtit për kryetar të partisë, disa deputetë të VV-së mund të largohen.

“Kryetar, unë kurrë nuk do të largohem. Së bashku me Albinin dhe aktivistët e vërtetë do të qëndrojmë dhe do të punojmë për Lëvizjen Vetëvendosje për të cilën shumë aktivistë sakrifikuan. Mos t’i harrojmë Monin, Arbeni, Astritin e Arbnorin”, ka shkruar deputetja Fitore Pacolli.

Kërkesës së shumë aktivistëve për të thirrur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Visar Ymeri dje iu përgjigj se ende nuk është koha për atë takim.

Mirëpo, deputeti Xhelal Sveçla që ditë më herët i reagoi edhe deputetes Aida Dërguti, shkroi mbrëmë se disa individë nuk mund t’u imponojmë qëndrime dhjetëra mijëra aktivistëve.

“Disa individë donë t’ua imponojnë qëndrimet dhjetëra mijëra aktivistëve. Le të flasin këta dhjetëra mijëra aktivistë, në këshillin e përgjithshëm përmes delegatëve të tyre, e veç e veç përmes votës në zgjedhjet për kryetar të Lëvizjes. Kurse këta të deklarohen a janë pronarë, a kanë të drejtë vetoje, apo të drejtë shantazhi”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ndërsa debatit nuk i ka munguar as deputeti Fisnik Ismaili, i cili u shpreh i shqetësuar me këto debate publike, të cilat sipas tij duhej të mbaheshin të mbyllura brenda forumeve të partisë.

“Personalisht, mendoj se pa Albinin, në këtë gjendje kaq dëshpëruese që po mbretëron në Lëvizje, nuk ka kuptim asnjë mbledhje e Kryesisë apo e Këshillit të Përgjithshëm. Por, nëse mendoni se vërtet është kaq me urgjencë, atëherë nisne me nënshkrimin tim. Besoj se 39 tjera i mbledhni brenda një ore”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Sot gjatës ditës njëri grup brenda kësaj partie ka filluar të vë mbishkrime nëpër rrugë të Prishtinës me sloganin “S’ka Babë, ka Ide”, duke aluduar se Albin Kurti po shihet si babë nga një grup brenda Vetëvendosjes.

“Më duket se shkruesit e sloganit kanë jetuar për vite me radhë pa ide, por me një babë që e krijuan në mendjet e tyre, sepse u duhej për vetëjustifikim, e veç tash që humbën babën imagjinar po kujtohen për idetë”, ka shkruar Arbër Zajmi në Facebook.

Gazeta Jeta në Kosovë publikoi mbrëmë analizën mbi ndarjen e mundshme të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lëvizja ‘Tektonike’ e Vetëvendosjes

Krejt këto debate brenda VV-së filluan së voni pas publikimit të një komunikimi të brendshëm të deputetëve, por sipas deklaratave të zyrtarëve të Vetëvendosjes këto probleme po zgjasin që më shumë se 1 vit.

http://kallxo.com/biseda-ne-viber-qe-mund-ta-ndaje-vetevendosjen/