Sindikata e Policisë Kërkon Sigurim Shëndetësor

Sigurimin shëndetësor përfaqësues të sindikatës e kërkuan gjatë takimit të sotëm me Kryeministrin Mustafa dhe ministrat Skender Hyseni e Arban Abrashi.

“Ne e dimë që Policisë së Kosovës i mungon kjo gjë shumë, sepse kemi shumë të lënduar në krye të detyrës, por edhe si pasojë e sëmundjeve të ndryshme,” tha nënkryetari i kësaj sindikate Shaban Tasholli.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi nuk e tha saktë se kur do të sigurohen pjesëtarët e policisë, por bëri të ditur se po shikohen mundësitë dhe gjetja e mënyrës për sigurim shëndetësor të tyre.

“Duhet t’i shikojmë mundësitë e zbatimit progresiv për sigurimet shëndetësore, të gjejmë një sektor që më të vërtetë ka nevojë dhe janë në rrezikshmëri konstante edhe të lartë. Të fillojmë kompensimin ose zbatimin të sigurimeve shëndetësore progresive për kategoritë dhe ata persona të shoqërisë që janë të ekspozuar më shumë rrezikshmërisë gjatë ushtrimit të punës së tyre,” tha Abrashi.

Ai tha se ka marrë premtim nga ana e Qeverisë, se do të shqyrtohet kjo kërkesë e tyre, edhe pse nuk e dinë ende saktë se kur do të filloj implementimi i saj.

Ndërsa Ministri, Arban Abrashi, tha se ata janë duke i shikuar mundësitë se si të bëhet një sigurim shëndetësorë për ta.

Pasi që nga sindikata u paraqit mundësia që, nëse nuk bëhet sigurim për të gjithë atëherë të shkohet me participim.

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë Shaban Tasholli nuk la pa përmendur edhe protestat e fundit që kanë ndodhur në Kosovë që përfunduan me policë e qytetarë të lënduar.

Ai tha se mbrojtja e Kushtetutës si dhe e qytetarëve të Kosovës është detyrë e policisë.

“Pavarësisht lëvizjeve politike që kanë qenë dje, sot, nesër, kurdo që të jenë, ne do të jemi në thirrje të popullit, në thirrje të Qeverisë”, tha Tasholli.

Policia vitin e kaluar e ka vlerësuar me plot sfida, ndërsa edhe ky vit ka nisur me përsëritje të skenave të njëjta në fund të protestës opozitare të 9 janarit.

http://kallxo.com/hyseni-e-vlereson-te-suksesshme-luften-e-kosoves-kunder-terrorizmit/

http://kallxo.com/si-eskaloi-protesta-e-9-janarit/