Kreu i Listës Serbe, Slavko Simiq | Foto: Facebook

Simiq: Nuk po Bisedojmë për Kthim në Institucione

Pas dërgimit të Ligjit për Investime Strategjike në Gjykatën Kushtetuese, kreu i Listës Serbe Sllavko Simiq tha se ky subjekt nuk ka kontakte me qeverinë për kthim në institucione.

“Unë si kryetar i Listës Serbe mund të konstatoj se ende nuk kemi kurrfarë kontakti sa i përket thirrjes që të kthehemi në qeveri ose kuvend,” tha Simiq.

Ai deklaroi se nuk do t’i përgjigjet ftesave që tentojnë ta bindin se ligjet për “Trepçën” dhe investimet strategjike janë në interes të të gjithëve në Kosovë.

“Sigurisht që nuk do t’i përgjigjem thirrjes në të cilën dikush dëshiron të më bindë që Ligji për Investime Strategjike dhe për ‘Trepçën’ janë ligje të interesit vital për të gjitha bashkësitë,” tha Simiq.

Deputetët e Listës Serbe votuan kundër Ligjit për “Trepçën kur ai kaloi në lexim të parë më 7 tetor. Ky ligj u miratua në orët e para të 8 tetorit, ndërsa Lista Serbe nuk mori pjesë në votimin e dytë të tij.

Ata e kishin lëshuar edhe mbledhjen e qeverisë kur në të u miratua Ligji për “Trepçën.

Ai bëri të ditur se me Ligjin për Investime Strategjike nuk janë mbrojtur interesat e Kishës Ortodokse Serbe dhe ndërmarrjeve shoqërore.

“Sigurisht që këto ligje nuk janë ligje të interesit vital për të gjitha bashkësitë dhe sigurisht që me to nuk janë mbrojtur interesat vitalë të pronës së Kishës Ortodokse Serbe, ndërmarrjeve që me decenie investuan në tokë,” tha Simiq.

Megjithatë, ai deklaroi se nuk dëshiron ta dramatizojë situatën.

“Natyrisht që nuk duam ta dramatizojmë situatën, por të hapim dyert dhe për çështjen e pronës të diskutohet,” tha Simiq.

Lista Serbe dërgoi për vlerësim kushtetutshmërie edhe Ligjin për “Trepçën” më 7 tetor.