Foto: Facebook

Simiq: Kemi më së Shumti Arsye për Pakënaqësi me Qeverinë

Sllavko Simiq, deputeti i Listës Serbe edhe pse nuk u përgjigj direkt nëse ky subjekt do ta përkrahë mocionin opozitar për rrëzim të qeverisë, kur foli për KALLXO.com tha Lista Serbe ka më së shumti arsye ta përkrahë mocionin.

“Jemi në situatë që të kemi më së shumti arsye që të jemi të pakënaqur me marrëveshjen e koalicionit, më së shumti kemi arsye për të qenë të pakënaqur për shkak të joefikasitetit të qeverisë dhe institucioneve, do ta ndjekim deri në fund situatën në mbledhjen e  Kuvendit”, tha Simiq duke iu përgjigjur pyetjes nëse lista do ta mbështesë mocionin.

Simiq tha për KALLXO.com se asnjë nga elementet e marrëveshjes së koalicionit PDK-LDK-Lista Serbe nuk është zbatuar.

“Pra, më së shumti arsye për ta përkrahur mocionin e sotëm të mosbesimit të qeverisë i ka para së gjithash Lista Serbe, pasi që asnjë element, ose detyrim të marrëveshjes së koalicionit qeveria nuk e ka zbatuar, bile edhe shumë elemente të kësaj marrëveshjeje kanë degraduar”, tha Simiq.

Simiq më tutje deklaroi se Asociacioni i Komunave Serbe po margjinalizohet.

“Asociacioni i Komunave Serbe politikisht dhe me kushtetutë po margjinalizohet, prona e kishës ortodokse serbe dhe prona e qytetarëve serbë është uzurpuar”, tha Simiq.

Ai deklaroi se qeveria nuk mundi t’i çojë gjërat përpara.

“Institucioneve u mungon absolutisht dinamika më e mirë dhe vendosshmëria, përgjegjësia, komunikimi i sinqertë dhe i hapur pa të cilat nuk ka as prosperitet e as zhvillim thelbësor dhe as nivel të lartë të lartë të respektit. Që gjërat të lëvizin nga vendi (pika zero) na duhet një qeveri  që ka plan, vizion dhe qëllime të përcaktuara. Pa këto nuk ka prosperitet të qytetarëve tanë”, tha Simiq.

Sipas Simiqit Lista Serbe ka sot rol vendimtar që ta pengojë jofunksionalitetin e qeverisë.

“Lista Serbe do të ketë sot rol vendimtar që të pengojë jofunksionalitetin  e institucioneve dhe qeverisë dhe të pengojë thjesht mosrespektimin e asaj që është nënshkruar me rastin e formimit të qeverisë  dhe para së gjithash mendoj për marrëveshjen e koalicionit PDK-LDK-Lista Serbe”, tha Simiq.

Ai tregoi edhe se si duhet të jetë qeveria.

“Na duhen institucione efikase, institucione që kanë vizion të lëvizin shumë gjëra nga vendi (pika zero)”, përfundoi Simiq.