‘Simfonitë’ e Bretkosave në Moçalin e Operas dhe Baletit

Nëse gjithçka do të shkonte sipas planit, këtu do të duhej të ekzekutoheshin operat e klasikëve të mëdhenj botërorë Mocartit, Verdit, Shopenit…

Por në Kosovë nuk është e thënë që institucionet t’u përmbahen planifikimeve prandaj edhe kalimtarëve në afërsi të Fakultetit Teknik dhe studentëve e profesorëve të këtij fakulteti tani u duhet të dëgjojnë kuak-kuak-et e bretkosave, në vend të veprave të artit.

Është fjala për vendin ku është nisur të ndërtohet Teatri i Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova” në afërsi të Fakultetit Teknik në Prishtinë.

Shemsedin Hajdari banor i kësaj ane thotë se është bërë shumë e vështirë të jetohet në këtë zonë për shkak të ‘simfonive’ të bretkosave.

“Nuk është aspak e këndshme edhe për syrin së pari por edhe për jetesë. Për çdo ditë pa dëshirën tonë jemi duke dëgjuar këtë muzikë të padashur të bretkosave, kjo sidomos shfaqet në pranverën e hershme kur gjatë sezonës së vjeshtës dhe dimrit krijohet një sasi shumë e madhe e këtij pellgu”, u shpreh Hajdari.

Hajdari thotë se nuk është vetëm zhurma që u pengon, ai tregon edhe faktorët e tjerë që ua vështirësojnë jetën këtyre qytetarëve.

“Edhe era e pakëndshme e cila shfaqet si dhe mbeturinat që hudhen në këtë pjesë të moçalit dhe zhurma e cila nuk është aspak e mirë, si dhe në qytet nuk është aspak e mirë nëse vjen dikush e sheh këtë vend që nuk është kështu që një kohë të shkurtë por me vite” u shpreh ai.

Por ajo që përballet me këtë gjendje çdo ditë pune nga 8 orë në ditë është Azemine Podvorica e cila punon në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës.

“Mjaft po na pengon, është e tepërt. Sidomos në mëngjes është katastrofë, është njëfarë zhurme tejmase”, thotë ajo.

Ajo tregon se situata është e njëjtë për shtatë vjet e këndej, qëkur ajo ka filluar të punojë në Fakultet.

“Edhe gjatë orarit të punës dëgjohen mjaft zhhurma. Vetëm duhet me ndejt me dritare të mbyllura. Nëse e ke dritaren e hapur, nuk mundesh me ndejt brenda”, thotë ajo

Edhe studentët e këtij Fakulteti duhet të pajtohen me zhurmën e bretkosave gjatë ligjëratave. Ata nuk deshën të flasin para kamerave, por thanë se e vetmja zgjidhje e tyre është që t’i mbyllin dritaret.

Dhe mbyllja e dritareve tani kur po ngrohet moti e bën të vështirë qëndrimin në sallë të mësimit dhe bibliotekë.

Por ata që e nisën këtë projekt thojnë se nuk do ta vazhdojnë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Kulturës Vehbi Miftari tha për KALLXO.com se projekti i nisur nuk do të përfundoj kurrë.

“Projekti nuk është i realizueshëm për shkak të buxhetit të papërballueshem, si dhe mangësive në projekt. Ne jemi duke biseduar me Komunën e Prishtinës për caktimin e një vendndërtimi të ri, në qendër, edhe për shkak të karakterit të një institucioni elitar”, u shpreh ai.

Ndërsa komuna e Prishtinës nuk është përgjigjur për ditë të tëra në pyetjet e KALLXO.com rreth planeve për këtë hapësirë të kryeqytetit.