Ilustrim

Sigurohen 85 Mijë Vaksina Kundër Gripit

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se bazuar në Planin e vaksinimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë siguruar 85 mijë e 500 vaksina kundër gripit sezonal.

“Shpërndarja e këtyre vaksinave ka filluar përmes Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i cili i shpërndan ato në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare- Njësitë e vaksinimit të komunave të Kosovës, ku qytetarët mund të vaksinohen”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Prej vaksinave të siguruara, të cilat jepen falas për qytetarët, 85 mijë janë vaksina për të rritur, ndërsa 500 të tjera janë vaksina për fëmijë (pediatrike) kundër gripit.

Sipas këtij njoftimi vlera financiare e këtyre vaksinave të siguruara është 478. 670.00 €.

Në fund të njoftimit Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje grupeve më të rrezikuara siç janë të sëmurët kronikë dhe të moshuarit që t’i shfrytëzojnë vaksinat për mbrojtje kundër gripit sezonal/21Media