Slavko Çuruvija. Foto: Fondacioni Slavko Curuvija.

Sigurimi Serb ‘Shkatërroi Dokumentet’ mbi Vrasjen e Gazetarit

Ish-zyrtari i Sigurimit të Shtetit, Zoran Stijoviq tha në Gjykatën Speciale të Beogradit se ai beson se letrat në lidhje me vrasjen e Çuruvijës në prill të vitit 1999 u shkatërruan menjëherë pasi regjimi i Sllobodan Millosheviqit u rrëzua me dhunë vitin pasardhës.

“Sipas deklaratave nga oficerët që kanë punuar për shërbimin, mund të mësohej se dokumentacioni nga i gjithë Serbia u shkatërrua në Institutin e Sigurimit të Beogradit mbrëmjen midis 7 dhe 8 tetorit 2000”, dëshmoi Stijoviq.

Më 5 tetor 2000, Millosheviqi u rrëzua nga pushteti me një kryengritje popullore.

Stijoviq pohoi se Shërbimi i Sigurimit mori pjesë në mënyrë të drejtpërdrejt në përgatitjen e vrasjes së Çuruvijës, familja e të cilit beson se ai u vra për shkak të kundërshtimit të tij ndaj Millosheviqit.

Megjithatë, Stijoviq tha se ai nuk e di saktësisht se kush e urdhëroi, organizoi dhe qëlloi Çuruvijën.

Dushan Mihajloviq, i cili shërbeu si ministër i Brendshëm serb nga viti 2000 deri në vitin 2004, tha në gjykatë të mërkurën se ai kishte marrë informacione se shërbimi sekret ishte organizator i vrasjes së Çuruvijës.

Sipas aktakuzës, një ‘”person i panjohur” urdhëroi vrasjen dhe Radomir Markoviq, ish-kreu i Sigurimit të Shtetit në Serbi, urdhëroi vrasjen ndërsa tre ish-agjentë të tjerë sigurimi – Ratko Romiq, Milan Radonjiq dhe Miroslav Kurak – morën pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes.

Dyshohet se Kurak ishte autori i drejtpërdrejtë i krimit, ndërsa Romiq ishte bashkëpunëtori i tij.

Të tre të dyshuarit e kanë deklaruar veten të pafajshëm, ndërsa Kurak është në arrati dhe po gjykohet në mungesë.

Markoviq aktualisht po kryen dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq dhe krime të tjera, ndërsa Romiq dhe Radonjiq në shtator të vitit të kaluar u liruan nga akuza për tentativë për vrasje të liderit të partisë opozitare Vuk Drashkoviq në vitin 2000.

Gjyqi vazhdon.

Raportet rreth gjykimit të rastit të vrasjes së gazetarit Çuruvija mund t’i gjeni në këtë link.