Radari i Aeroportit "Adem Jashari" - Foto: KALLXO.com

Si u riparua radari milionësh i Aeroportit nga një metalgdhendës për 82 euro

Njëri ndër radarët e Aeroportit të Prishtinës qëlloi të prishej në kohën kur nuk kishte kontratë për mirëmbajtje por zyrtarë të ASHNA-s gjetën zgjidhje alternative.

Në një rrëfim ekskluziv për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, ish- Zv Drejtori në Agjencionin për Shërbime të Navigacionit Ajror , Ersen Shileku tregoi për shqetësimet që ai i kishte ngritur lidhur me prishjen e radarit.

“Problemi me radar vjen pas një ndërprerje e kontratës nga ana e furnizuesit me këtë projekt. Ne i kemi dy radarë, një primar, një sekondar. Ata e ndërprejnë kontratën për shkak të një borxhi… E kërkova nga departamenti teknik të shikojmë nëse ka nevojë të bëjmë kontraktim të ri për mirëmbajtje. Normalisht injorohet kërkesa ime, bëj prapë dhe nuk marr përgjigje. Më 30 dhjetor vjen deri te prishja e radarit sekondar. Kur nuk funksionon radari në këtë rast nuk ka ‘back-up’ po të dështojë edhe një pjesë tjetër”, shpjegon Shileku.

Ai tha se në mungesë të kësaj kontrate, pjesa e nevojshme për riparimin e radarit huazohet nga Shqipëria dhe e njëjta pjesë prapë duhet të modifikohet.

“Sipas të gjitha gjasave kanë komunikuar me Shqipërinë për ta huazuar një nyje rrotulluese dhe e bijnë në Kosovë dhe gjatë testimeve e shohin se nuk po i bjen taman dhe shkojnë e modifikojnë pak. Nashta për ta zgjidhë shpejt e shpejt”, tha Shileku.

Jeta në Kosovë ka arritur të intervistojë mjeshtrin të cilit i ishte dërguar për modifikim pjesa e nevojshme për riparimin e radarit, Nagip Goga.

Ai pohoi se nuk është ekspert i fushës por e kishte kryer punën në punëtorinë e tij si metal gdhendës.

“Në telefon më kanë thirrë. Problemi ka qenë se pjesa rezervë që e kanë marrë prej Shqipërisë nuk ka qenë adekuate. Është një pllakë lidhëse, këtë pllakë e kemi ndërtuar. Unë nuk jam njohës i aviacionit, as i radarëve. Sa më kujtohet mua ka kushtuar diku nja 80- 82 euro.”, tha Goga.

Megjithatë, sipas Drejtorit të ASHNA-s në riparimin e radarit është bërë një punë e mirë.

Ndërsa , sipas Dritan Gjonbalaj, Shef i Autoritetit të Aviacionit Civil me prishjen e radarit nuk u komprometua sigurimi.

“Në asnjë moment si rezultat i daljes nga funksioni të radarit, siguria e operimieve në Kosovë nuk është cënuar. Radari është prishë dhe ai radar menjëherë del nga përdorimi dhe njoftohet se nuk ka operime në radar. Në aviacion civil çdo procedurë e ka procedurën rezervë”,tha Gjonbalaj.

Në këtë emision u transmetua pjesa e dytë e hulumtimit për Aeroportin e Prishtinës, ndërsa emisioni i parë kishte trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e aeroportit nga kompania Limak.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: