Kadri Veseli - Foto: Facebook

Si i Vlerësojnë Analistët Komentet e Veselit Rreth Gjykatës Speciale

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në një kolumne të publikuar ka shkruar se Gjykatën Speciale më së paku në botë e ka merituar Kosova që t’i ndodhë, por sipas tij ajo do të ndodhë edhe pse ka qindra argumente që flasin kundër saj.

Pas kolumnës së Veselit kanë reaguar disa prej analistëve të vendit.

Analisti Imer Mushkolaj ka pyetur se ku kishte qenë kryeparlamentari Veseli kur tash sipas tij u bë ”zë i arsyes”.

”Kadri Veseli tash na shfaqet “zë i arsyes” për Gjykatën Speciale. Ku ke deri tash? Apo duhet me provu me e fitu naj poen politik, tash kur aventura e rrezikshme iu dështoi”, ka shkruar Mushkolaj.

Sipas Parim Ollurit me gjykatën mund të ndodhë ashtu siç ka ndodhur me EULEX-in.

”Mire qe po e dini qe fuqia e juaj nuk e perfshine edhe zhberjen e Speciales. Por, nuk e di pse jeni kaq pesimiste ne Specialen. Behuni pak me optimiste. Mund te ndodhe ngjashem si me EULEX-in. Ne fund, shpalleni te pafajshem ose denoheni me kusht. Shiqojeni edhe anen e mire te medaljes”, ka reaguar Olluri.

Veseli në kolumne ka ”prekur” edhe partitë opozitare.

Sipas tij, LDK-ja tradicionalisht apatike, atë natë ishte hiperaktive. ”Dukej hapur se donte të shfrytëzonte momentumin e “qëndrimit të fortë” kundër, të ndërkombëtarëve ndaj iniciativës, për t’u dhënë goditje “armiqve të vjetër të kohës së luftës”, të cilët po tentonin “të ndalnin””, është shprehur Veseli.

Ndërsa, për Lëvizjen Vetëvendosje, Veseli ka shkruar se reagimet e VV-së për Gjykatën Speciale i kanë parë si mundësi për të ardhur në pushtet.

Në lidhje me këtë, analisti Astrit Gashi është shprehur se Veseli e ka sulmuar LDK-në dhe VV-në, duke e cilësuar joserioz presidentin Thaçi, shkruan rtv21.tv.

”Kadri Veseli pak si msheftaz i paska bertite Hashimit qe nuk e ka kordinu mire punen me LDK e VV. E paska cilesu si jo serioz bile. Natyrisht terthorazi, duke e sulmu LDK e VV! Hap i guximshem ky nga Kadriu!”, ka shkruar Gashi në facebook.

Ndërkaq, Arben Ahmeti ngriti dilemë se mos kolumnën Veselit ia ka shkruar ndonjë gazetar. ”E lexova shkrimin e Kadrise. Ose eshte kopjues i mire i stilit te te shkruarit te nje kolegu gazetarë, ose i`a ka shkru gazetari. Kadri, a po na TREGON? #Dramaciteti #aktrimiPolitike #Gjuha #VetekritikA ”, ka shkruar Ahmeti në “Facebook”.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit të Kosovës më 22 dhjetor pati dështuar për të shqyrtuar kërkesën e 43 deputetëve për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, pasi nuk ka pasur  kuorum për të mbajtur mbledhjen./21Media