Si i Shpërtheu Vetura Dëshmitarit të Rastit të Vrasjes së Vëllezërve Bytyçi

Në rrëfimin ekskluziv për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Ivan Pajiq nga Serbia tregon se çfarë kishte parë natën e vrasjes së vëllezërve Bytyçi.

Ai tregoi se më 9 korrik të vitit 1999 në qendrën e trajnimeve të Xhandarmërisë serbe në Petrovo Sello kishte parë tre civilë dhe tre ushtarë dhe më pas ishte larguar kur njëri nga ushtarët kishte shtënë me armë në njërin civil.

Ivan Pajiq ka rrëfyer ekskluzivisht për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, se si kishte parë të qëllohet një nga vëllezërit ‘Bytyçi’ dhe ai thotë se kjo ndodhi në prani të Goran Radosavljeviq, i njohur me nofkën ‘ Guri’, ish-kolonel i Forcave Speciale të Policisë së Serbisë

Ai më pas kishte identifikuar tre vëllezërit Bytyçi pasi kishte parë raportime të medieve.

Pajiq thotë se që nga momenti i dëshmisë së tij të parë për rastin e vëllezërve Bytyçi, ai ishte përballur me kërcënime.

Në një rast ai gjithashtu kishte pësuar nga shpërthimi i veturës së tij për të cilin ende nuk dihen shkaqet.

“Ka rrethana ende të paqarta. Mendoj se ka qenë 16 nëntor 2015, jam nisur në rrugë dhe vetura ka shpërthyer, unë kam pasur djegje në fytyrë dhe trup. Deri sot e kësaj dite askush nuk është deklaruar rreth kësaj”, tha Pajiç.

Në këtë intervistë, Pajiç flet lidhur me deklaratat që kishte dhënë në Prokurorinë të Serbisë pas rastit dhe si kishte vazhduar jeta e tij pasi dëshmisë.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: