Shumëkatëshet ‘Dridhin’ Trashëgiminë në Gjakovë

Besim Shehu nga Gjakova ankohet se Teqesë Halveti të Sheh Litës po i afrohen objekte shumëkatëshe që po e rrezikojnë.

Teqeja është themeluar afërsisht në vitin 1700, ndërsa sipas Shehut ky objekt fetar e kulturor nuk po e gëzon kujdesin komunal.

“Shqetësimi i tanishëm për këtë institucion është se me planin urbanistik Komuna e Gjakovës ka pru një vendim të planit të ri ku degradohet ambienti, ku në afërsi të teqesë që është në s’përputhje me ligjet pozitive të Kosovës bahet ndërtimi i rrokaqiejve shtat-tetë kat dhe kjo e pengon rrjedhën e riteve në teqe,” thotë Besim Shehu.

Ai tregon se e ka kundërshtuar vendimin e komunës.

“Ne kemi marrë pjesë në diskutimin publik, ne kemi qenë kategorikë që kjo pjesë e qytetit nuk ban me u degradu në këtë formë, këtu ka objekte të lashtësisë siç është shtëpia e Mustafa Bakisë, teqeja jonë, janë tri xhamitë, është edhe një teqe tjetër e Hadrit,” thotë Shehu.

Përkundër këtyre kundërshtimeve, ky plan rregullues kishte marrë shumicën e votave në Asamblenë Komunale të Gjakovës.

Edhe drejtori i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë në Gjakovë Osman Gojani tha se nga punimet në këtë pjesë të Gjakovës, po pësojnë objekte të rëndësishme.

“Me rregull ka qenë desht që çdo përpilim të projekteve urbane zhvillimore, plane detaje të vinë në Ministrinë për Kulturë Rini dhe Sporte, në komisionin për shqyrtim dhe vlerësim të objekteve konservuese, restauruese dhe të sqarohet dhe t’i jepet leja ose pëlqimi për atë lagje. Me Drejtorinë për Punë Urbanistike nuk e kemi dhe mbrojtjen e mjedisit në Gjakovë, nuk e kemi këtë ecuri përveç Çarshisë së Madhe, për lagje të tjera asnjë projekt nuk ka ardhur me marrë pëlqimin e planeve zhvillimore,” theksoi Gojani.

Por ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Gjakovë Elida Bejtullahu tha për KALLXO.com se kjo drejtori i është drejtuar me shkresa Qendrës Regjionale për Trashëgimi, duke mos marrë ndonjë rekomandim të veçantë nga kjo qendër.

“Në çdo procedurë të planeve rregullative ne kemi dërgu shkresa në Qendrën Regjionale për Trashëgimi Kulturore. Në secilin plan, kur ka fillu hartimi i planit rregullativ është informu Instituti për Mbrojtje të Monumenteve dhe instituti ka kthy përgjigje pa caktu kritere të trajtimit,” tha Bejtullahu.

Deri sa këto dy institucione shtyhen mes vete, Besim Shehu thotë se pos objektit që është duke u ndërtuar, në procedurë për marrjen e lejes është edhe një objekt tjetër i cili është edhe më afër kësaj Teqesë së Helevetive.

“Pas këtij plani rregullues kanë fillu punimet në këtë objektin mbrapa këtu që shihet, po planifikojnë me ba edhe një ndërtesë tjetër që hyp thjesht mbi këtë institucion fetar-kulturor, çka e degradon plotësisht,” thotë Shehu.

Teqeja e Sheh Litës e tarikatit Halveti dhe Shtëpia e Mustafa Bakisë ndodhen afër “Çarshisë së Vogël”.