Vendi i ngjarjes së vrasjes së trefishtë në Gjakovë | Foto: KALLXO.com

Më Shumë Vrasje në 7 Muajt e Parë të 2016-ës

Në shtatë muajt e parë të këtij viti shënimet e policisë tregojnë se janë katër vrasje më shumë se në periudhën janar-korrik 2015.

Pa llogaritur vrasjen e sotme në Prishtinë,  vrasjen e trefishtë në Gjakovë që ndodhi më 23 gusht, të dyfishtën në Shaptej të Deçanit më 25 gusht, atë në Ferizaj më 18 gusht dhe në Shtërpcë më 26 gusht,  Policia e Kosovës vetëm deri në korrik të këtij viti ka regjistruar katër vrasje më shumë në raport me shtatë muajt e parë të vitit të kaluar.

Nga janari deri në korrik 2015 në Kosovë sipas policisë kishin ndodhur 11 vrasje, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti kanë ndodhur 15 vrasje.

Vrasjet e tilla, sidomos këto në gusht që ndodhën për hakmarrje, pas zënkave, ose për përfitime, policia i konsideron shqetësuese.

“Rastet e tilla të vrasjeve në përgjithësi janë tepër shqetësuse dhe shkaktohen për motive të ndryshme, perderisa vendimet lidhur me rastet e tilla dhe përcaktimi i dënimeve është kompetencë e organeve të drejtësisë,” thotë zëdhënësi i Policisë daut Hoxha për KALLXO.com.

Pyetjes se a mos është përqendruar më shumë vëmendja e policisë nga zhvillimet politike dhe sulmet që lidhen me demarkacionin, ndërsa këtë po e shfrytëzojnë ata që po duan t’i qërojnë hesapet mes vete, zëdhënësi Hoxha i përgjigjet me fjalët se policia vazhdimisht vepron për të parandaluar vrasjet e tilla.

“Ne në vazhdimësi kemi ndërmarrë veprime konkrete për parandalim qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale, apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme, apo që mund të çojnë tek kryerja e akteve të tilla,” thotë Hoxha.

Policia sipas shënimeve që ka, në periudhën janar-korrik 2015 konfiskoi 605 armë, ndërsa sivjet në të njëjtën periudhë numri i armëve të konfiskuara është rritur, duke prekur numrin 682.

Por edhe pse ka më shumë armë të konfiskuara, vetëm për tetë ditë gjatë muajit gusht ndodhën 7 vrasje.

KALLXO.com shkroi për vrasjen e trefishtë në Gjakovë të ndodhur më 23 gusht, të cilën ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit në këtë qytet Ali Selimaj e konsideroi të kryer për hakmarrje.

http://kallxo.com/motivi-i-vrasjes-ne-gjakove-hakmarrja/

Edhe në Shaptej të Deçanit më 25 gusht u vranë dy vëllezër, edhe pse sipas policisë nuk kishin të bënin fare me një zënkë të nisur rreth dëmtimit të një xhami të një furgoni mes dy kushërinjve.

http://kallxo.com/zenka-e-kusherinjve-qe-shkrepi-plumbat-te-fqinjet/

Një rast i rëndë ndodhi edhe dje në Shtërpcë kur një 28 vjeçare vrau për pronë 91 vjeçaren që e kishte të afërme, ndërsa një 20 vjeçar u vra në Ferizaj më 18 gusht.

Edhe sot në Prishtinë nga të shtëna me armë u plagosën dy persona, të cilët më pas vdiqën.

http://kallxo.com/vret-familjaren-e-saj-per-prone/

http://kallxo.com/vritet-20-vjecari-ne-ferizaj/

Policia thotë se sipas shënimeve ndriçon 75 për qind të vrasjeve të kryera në vend.

“Nëse u referohemi statistikave lidhur me zbulueshmërinë e rasteve të vrasjeve nëpër vite, Policia e Kosovës ka arritur nivelin e zbulueshmërisë së rasteve të tilla mbi 75%. Disa raste të vrasjeve janë me kryes të njohur, kurse disa nga rastet janë në proces hetimor dhe policia në bashkëpunim me prokurorinë i trajton me një seriozitet të madh,” thotë Hoxha.

Për nëntë vrasjet e fundit të ndodhura në gjysmën e dytë të gushtit, policia ose i ka arrestuar, ose ka njohuri për të dyshuarit për këto krime.

Por ajo kërkon edhe ndihmën e institucioneve tjera për parandalimin e vrasjeve.

“Në aspektin e parandalimit përveç policisë duhet luajtur rolin e tyre edhe akterët tjerë të cilët kanë obligime institucionale dhe shoqërore në funksion të vetëdijesimit apo sensibilizimit të shoqërisë lidhur me pasojat që mund të vijnë nga veprimet e kundërligjshme në përgjithësi,” thotë Hoxha.