Më Shumë të Hyra në Vitin 2017 për Buxhetin

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka prezantuar sot para kabinetit qeveritar raportin 9 mujor të buxhetit të vitit 2017.

Ai i ka thurur lavde qeverisë, duke thënë se kjo periudhë është karakterizuar me një ritëm të rritjes në aktivitetin ekonomik.

“Pranimet përgjatë nëntëmujorit kanë shënuar rritje prej rreth 5% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kjo rritje ka qenë e shtyrë nga të hyrat e rregullta tatimore, jo tatimore si dhe pranimet nga financimet. Të hyrat e përgjithshme përgjatë periudhës Janar-shtator të 2017 kanë shënuar rritje prej rreth 4% që korrespondon me 46.5 milionë euro më shumë krahasuar me vitin paraprak”, tha në mes tjerash ministri Hamza.

Ai ka prezantuar disa nga të hyrat ku Qeveria ka pasur rritje gjatë këtij 9 mujori në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Të hyrat tatimore të mbledhura nga doganat e Kosovës kanë arritur vlerën prej 815.6 milionë euro apo 5.4 më shumë se në vitin paraprak. Të hyrat nga Administrata Tatimore e Kosovës kanë arritur vlerën e 303.78 milion  apo rreth 4% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, tha para ministrave tjerë, ministri Hamza.

Ndërsa kryeministri Haradinaj e ka falënderuar ministrit Hamza për punën që e ka bërë në lidhje me rishikimin e buxhetit. Ai gjithashtu ka falënderuar edhe deputetët të cilët kanë votuar pro rishikimit të buxhetit.

Qeveria në këtë mbledhje ka miratuar edhe projektligjin për kontrollin e brendshëm të financave publike.