Dhurata Hoxha, Ministre e Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Shumë Pyetje për Ministren

Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha ka dalë sot për herë të parë që nga marrja e detyrës para anëtarëve të Komisionit për Legjislacion në lidhje me rekomandimet që ky komision i ka bërë ministrisë që ajo drejton.

Ajo para anëtarëve të komisionit paraqiti prioritet e punës së saj. Tha se do të reformohen disa ligje për të cilat ka kritika të mëdha, ndërsa në këtë aspekt përmendi Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

Prioritet ministrja i konsideroi ligjet për noterinë, ndërmjetësuesit dhe përmbaruesit.

Ajo përmendi edhe luftën kundër korrupsionit. “Ne si ministri jemi të fokusuar në luftimin e korrupsionit,” tha ajo.

Dhurata Hoxha dha edhe shifra për kontrollet rutinore nëpër dhomat e burgjeve të Kosovës.

Albulena Haxhiu e pyeti ministren Hoxha për sistemin e drejtësisë që sipas saj po përkeqësohet dhe është shndërruar në lavatriqe për përfitim të pasurisë në kurriz të popullit.

Ministrja Hoxha tha se do të angazhohet për pavarësi të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Në lidhje me politizimin e gjyqtarëve e prokurorëve, u siguroj që ata me kushtetutë e ligje kanë pavarësi e gjithë përkushtimi im do të drejtohet në këtë pavarësi, nuk do të ketë drejtësi selektive,” tha ministrja Hoxha.

Ministrja e Drejtësisë deklaroi se nuk është e kënaqur me buxhetin që i ndahet kësaj ministrie.

“Unë nuk jam e kënaqur me buxhetin, jo veç në Ministrinë e Drejtësisë, por në gjithë sektorin e sigurisë. Nëse thonë që sundimi i ligjit është prioritet, duhet t’i qesin paret, qaty ku i kemi fjalët,” tha Hoxha.

Ajo foli edhe për një komunikatë të Ministrisë së Drejtësisë për aktakuzë ndaj zyrtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës që më pas u demantua nga vetë ministria.

Ministrja tha se në shkresën e prokurorisë shkruante se është ngritur aktakuzë ndaj tyre, prandaj sipas saj pasoi edhe suspendimi.

Dhurata Hoxha foli edhe për Dhomat e Veçanta të Gjykatës Speciale.

“Dy ligjet për Gjykatën Speciale kanë kaluar në Kuvend e ne si Ministri e Drejtësisë nuk kemi obligime e as nuk mundemi të interferojmë në Gjykatën Speciale. Do të kërkojmë që të kemi transparencë, por nuk mund të ndikojmë më shumë se aq,” tha Hoxha.

Ajo iu përgjigj edhe pyetjes së ku ka mbetur Ligji Antimafia.

“Ligji Antimafia kemi rekomandim të rregullohet me dispozita të veçanta në kuadër te Kodit për Procedurë Penale, për shkak se ai nëse nxirret si ligj i veçantë ai nuk do të mund të zbatohej në praktikë,” tha Hoxha.