Shumë Mungesa të Palëve, Shtyhet Gjykimi për Fajde

I akuzuari Enver Avdullahu, i cili së bashku me të akuzuarit e tjerë, akuzohet për veprën penale të fajdes, mungoi në seancën gjyqësore të radhës të mbajtur të premten.

Gjykata ka lëshuar urdhërarrest dhe aktvendim për caktimin e paraburgimit ndaj Avdullahut, i cili nuk ishte i pranishëm në gjykatore.

Në këtë proces gjyqësor, të akuzuarit Enver Abdullahu, Rrahim Sallahu, Fatlum Avazi dhe Bujar Avdullahu, ngarkohen me veprën penale të fajdes.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit e kanë shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, duke i dhënë para borxh këtij të fundit dhe duke ia llogaritur borxhin në kamata të larta javore dhe mujore, shuma këto të cilat kanë kaluar disa herë shumën e parave të marra borxh.

Në bazë të aktakuzës, i akuzuari Enver Avdullahu, nga viti 2011-2015, i kishte dhënë Musliut para borxh në shumën totale prej 19.200 euro. Avdullahu duke ia llogaritur edhe kamatën i kishte marrë viktimës para në vlerë prej 64.100 euro.

Sipas prokurores, kësaj shume duhet t’i shtohet edhe vlera e disa veturave në shumë të përgjithshme prej 15.400. E përpos të gjitha këtyre shumave të përmendura, i akuzuari Avdullahu kishte kërkuar në emër të fajdes edhe 8000 euro shtesë nga i dëmtuari Musliu.

I akuzuari tjetër Rrahim Sallahu, gjatë periudhës kohore 2012 e deri në ditën e arrestimit, akuzohet se i kishte dhënë borxh të dëmtuarit Musliu në shuma të ndryshme. E ky borxh, siç shkruhet në aktakuzë, duke e llogaritur kamatat në shuma mujore dhe javore kishte arritur deri në shumën 7.000 euro dhe pas tre muajve në emër të fajdes është bërë 10000 euro. Më vonë, i dëmtuari kishte marrë përsëri një borxh në vlerë prej 4000 euro për t’i kthyer 4400 më pas.

Ndërsa një borxh tjetër prej 20000 euro në vitin 2014 me 5 % kamatë, për disa muaj kishte arritur vlerën e 44.500 euro.

Ndërkaq, i akuzuari Fatlum Abazi, gjatë periudhës 2011-2015, i kishte dhënë borxh viktimës Musliu 37.700 euro, ndërsa Musliu ishte dashur t’i kthejë 80.350 euro.

Gjithmonë duke iu referuar aktakuzës, të akuzuarit Enver Avdullahu dhe Bujar Avdullahu në bashkëkryerje në periudhën kohore 2014-2015, në emër të fajdes i kanë marrë të dëmtuarit shumat prej 7700 euro, ndërsa në vitin 2013 edhe 3300 euro.