Shumë Mungesa në Gjykimin e ish-Inspektorit

Bajrami akuzohet se ka marrë para për t’ua mundësuar disa kamionëve të hedhin dheun në një pronë private, ndërsa Mexhid Krasniqi dhe Salih Dakaj akuzohen se i dhanë të holla Bajramit për t’ua mundësuar hedhjen e dheut në atë lokacion.

Në seancën e sotme nuk ishte i pranishëm prokurori Abdurrahim Islami që ka kaluar me punë në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ndërsa Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk kishte dërguar askënd për ta zëvendësuar.

Munguan edhe i akuzuari Mexhid Krasniqi dhe dëshmitari Fatmir Bajrami.

Kryetarja e trupit gjykues Nora Bllaca për shkak të këtyre mungesave shtyu seancën, duke e caktuar më 15 korrik.

Gjyqtarja Bllaca tha se ky dëshmitar nuk dihet a jeton në vendin për të cilin e ka dhënë adresën, ndërsa bëri të ditur se do të lëshojë urdhëresë për shoqërimin e Fatmir Bajramit në gjykatë, pasi të sigurohet adresa e saktë e banimit të tij.

I akuzuari Avni Bajrami ngarkohet nga  ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë se në cilësinë e personit zyrtar- inspektor komunal ne Lipjan, më 15 mars 2011 me dashje ka kërkuar dhe ka marrë përfitime për vete-para në shumën prej 350 eurove nga i akuzuari Mexhid Krasniqi.

Këto para, sipas aktakuzës, ish-inspektori Bajrami i kishte marrë  për të mos ndërmarrë veprime që i takonin sipas postit që mbante për t’i ndaluar kamionët e ndërmarrjes N.P.N “Çlirimi” për ta hedhur dheun në lokacionin -pronë private në afërsi të Kompanisë “Kosova Asfalt” në Lipjan.

Te akuzuarit Mexhid Krasniqi dhe Salih Dakaj akuzohen se me 15 mars 2011 me dashje dhe në bashkëveprim me qellim të përfitimit të kundërligjshëm  për ndërmarrjen N.P.N “Çlirimi” i kanë dhënë 350 euro ish-inspektorit që ky të mos i pengojë që ta hedhin dheun në pronën private në afërsi të “Kosova Asfaltit”.