Arkiv - Gjykimi i Kolë Pukës | Foto: KALLXO.com

Shumë Kërkesa të Mbrojtjes në Gjykimin e Kolë Pukës

Gjykimi i ish-gjyqtarit Kolë Puka që po zhvillohet rishtazi pasi që Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim, po i afrohet fundit.

Ish-gjykatësi Kolë Puka po akuzohet nga prokuroria për nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, pastrim parash, mashtrim e vepra të tjera penale.

Në seancë, Tahir Rrecaj, avokati i Kolë Pukës parashtroi para trupit gjykues disa kërkesa në lidhje me mbrojtjen e klientit të tij.

Avokati Tahir Rrecaj dhe i mbrojturi i tij Kolë Puka nga trupi gjykues kërkuan që vetëm provat origjinale në lidhje me këtë rast të administrohen, e jo edhe provat të cilat janë kopje.

“Kërkoj nga gjykata që të sigurojë provat në origjinal, sepse gjykata nuk mund të procedojë me prova materiale që janë  në kopje”, tha avokati Rrecaj.

Puka dhe avokati i tij kërkuan edhe sigurimin e shkresave nga Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Pejë një raport në lidhje me automjetin Volksëagen “Lupo”.

Avokati Tahir Rrecaj kërkoi po ashtu që të administrohen si prova dhe të sigurohen në tërësi të gjitha shkresat e lëndëve në kompanitë e sigurimeve për rastet të cilat nuk janë vjetërsuar, për faktin se ai deklaron se Kolë Puka nuk e mohon se nuk ka paraqitur kërkesë për kompensim të dëmit dhe nuk ka nënshkruar ujdi jashtë gjyqësore.

E Ish-gjykatësi Kolë Puka kërkoi nga trupi gjykues që të administrohet si provë një vërtetim i lëshuar nga Gjykata në Klinë për listën e lëndëve me të cilat ka qenë i ngarkuar ai në atë kohë.

Rreth këtyre propozimeve kundërshtime pati nga ana e prokurorit Ali Rexha, i cili tha se ka siguruar aq sa ka mundur prova në origjinal.

“Sa i përket provave në origjinal ne sa kemi mundur i kemi siguruar pasi që Kompania e Sigurimeve ‘Kosova’ është shkatërruar”, tha prokurori Rexha.

Prokurori më tutje pretendoi se Hilmi Hana, një person sipas tij me ndikim në kohën për të cilën akuzohet Puka, ka shkatërruar dokumentacionin e kësaj kompanie.

Prokurori deklaroi se dokumentacione kanë gjetur vetëm në bodrum të kompanisë dhe të objekteve tjera.

Prokurori Rexha deklaroi se çështjen e dokumentacioneve e ka sqaruar edhe në gjykimin e mëhershëm të Pukës, por premtoi se me stafin e tij do të shikojnë nëse posedojnë shkresa tjera në origjinal të cilat do t’i sjellin në gjyq.

Rexha e quajti humbje kohe sigurimin e provave nga Qendra e Regjistrimit të Automjeteve.

Gjykata refuzoi kërkesën për sigurimin e provave në origjinal dhe sigurimin e shkresave për ujditë gjyqësore.

“Sa i përket sigurimit të provave në origjinal gjykata refuzon propozimin e mbrojtjes pasi që ky pretendim nuk ka qenë si pretendim me të cilin është kthyer lënda në rishqyrtim”, tha kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj.

Por trupi gjykues aprovoi kërkesën për sigurimin e shkresave nga Qendra e Regjistrimit në Pejë për automjetin Volksëagen “Lupo”, me ç’rast u vendos që të kërkohen shënimet nga kjo qendër.

E po ashtu aprovoi edhe kërkesën për vërtetimin e lëshuar nga Gjykata Themelore Pejë-Dega në Klinë.

“Administrohet prova materiale vërtetimi i lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë- Dega në Klinë (lista e lëndëve me të cilat ka qenë i ngarkuar Kolë Puka) vetëm sa u përket lendeve civile” tha kryetari i trupit gjykues.

Të pranishëm në seancë ishin edhe të dëmtuarit Zylfi Hasanaj, Musa Pepqi,Mirushe Berisha si përfaqësuese e të ndjerit Isa Berisha, Himë Berisha, Sylë Gjocaj, Gjon Balaj, Halil Ahmetgjekaj e Jozefina Ndrecaj që deklaruan se do të parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike.

Seanca e radhës do të mbahet nga mesi i muajit qershor.

Ish-gjykatësi Puka, akuzohet se më 4 qershor 2008 ka nxjerrë një vendim mbi kompensimin e pretendimeve në rastin e familjes  së Rrustem dhe Qazim Gashit. Në të njëjtin rast sipas prokurorisë Puka ka nxjerrë një marrëveshje shtesë gjyqësore më datë 4 qerrshor 2008 ku miratonte një pagesë të dyfishtë të pajustifikuar.

Sipas aktakuzës, Lon Palushaj ka përfaqësuar rastin “Familja Gashi”, ndërsa të njëjtën me një numër tjetër të lëndës e ka bërë edhe Zef Marleku. Sipas aktakuzës, asnjëri nuk ka pasur autorizimet përkatëse për këtë përfaqësim nga familjet e palëve të lënduara(dëmtuara).

Gjithnjë sipas aktakuzës, Kolë Puka ka nxjerrë vendime të paligjshme sepse ka vendosur mbi kërkesat për kompensim, pavarësisht nga fakti se kishte pasur dijeni që Zef Marleku dhe Lon Palushaj nuk ishin në përputhje me palët e përfaqësuara.

Aktakuza e prokurorit Rexha përshkruan se ish-gjykatësi Puka kishte miratuar si kompensim 56 mijë euro për Lon Palushajn, ndërsa në rastin tjetër i kishte miratuar shumën prej 61 mijë eurove Zef Marlekajt, ndërsa Hilmi Hana i kishte transferuar këto fonde në llogaritë bankare të avokatëve Zef Markelu dhe Lon Palushaj.

Pika tjetër e aktakuzës e ngarkon Kolë Pukën se mes datës 18 nëntor 2002 deri më 18 dhjetor 2007, duke shfrytëzuar pozitën e tij si gjykatës ka përdorur vulën zyrtare të Gjykatës Komunale të Klinës duke vulosur 19 autorizime për përfaqësim ligjor, përkundër faktit se personat në fjalë nuk kanë dhënë pëlqimin e tyre për përfaqësim ligjor.

KALLXO.com e ka ndjekur edhe më herët këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/vdekuri-ftohet-te-deshmoje-ne-gjyqin-e-ish-gjykatesit/

http://kallxo.com/prokurori-ish-gjykatesit-puka-ti-konfiskohen-banesat-trolli-e-audi-a6/

http://kallxo.com/kerkohet-konfiskimi-shtepise-dhe-parave-ne-gjykimin-e-kole-pukes/