Një takim i mëhershëm i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media – Foto: KALLXO.com

Më Shumë Ankesa të Nëpunësve Civilë të Shqyrtuara

Nga gjithsej 690 ankesa të nëpunësve publikë të shqyrtuara nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil në mënyrë meritore janë zgjidhur 630.

Kështu ka thënë sot Lulzim Alijaj, kryetari i këtij Këshilli gjatë paraqitjes së raportit para Komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.

“Jemi të kënaqur që kemi arritë të mbikëqyrim zbatimin e ligjit në të gjitha institucionet e administratës publike, ta kthejmë besimin te nëpunësit civilë“, tha po ashtu Alijaj.

Sipas tij, objekt i ankesave është pothuajse i njëjtë si vitet e kaluara. Ankesat kanë të bëjnë me kontestim konkursi, kompensimet materiale, ndërprerja e marrëdhënieve të punës, transferimi, etj.

Ndonëse ka rritje të zbatimit të vendimeve të Këshillit krahasuar me vitet e tjera, për Lulzim Alijajn shqetësuese mbetet shifra e lartë e moszbatimit të vendimeve të Këshillit.

“Janë 40 vendime më shumë të zbatuara. Por, përsëri numri i vendimeve të pazbatuara është shqetësim sepse janë vendime përfundimtare të vërtetuara nga Gjykata Kushtetuese dhe 41 vendime të pazbatuar në vitin 2015 që është shumë në institucionet e tona”, tha ai, duke shtuar se rritja e vendimeve të zbatuara është si rezultat i fillimit të ngritjes së aktakuzave ndaj zyrtarëve që nuk i zbatojnë vendimet e Këshillit.

Alijaj theksoi se shqetësim i Këshillit mbetet ende përcaktimi se kush është nëpunës civil e kush jo.