Nga një seancë e gjykimit të Shukri Bujës | Foto: KALLXO.com

Shukri Buja do të Vazhdojë të Gjykohet

Shukri Buja, anëtari i Nismës për Kosovën dhe ish-deputeti i PDK-së do të vazhdojë të gjykohet për shpërdorim detyre në lidhje me një memorandum mirëkuptimi që sa ishte kryetar i Lipjanit e nënshkroi me kompaninë “NEW Co Feronikel Complex LL. C.”.

KALLXO.com mëson se Gjykata e Apelit refuzoi ankesat e Bujës dhe nëntë të akuzuarve tjerë të këtij procesi.

Të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre ishin ankuar në Apel, pasi gjykata themelore refuzoi kërkesat e tyre për hedhje poshtyë të aktakuzës dhe provave mbi të cilat ajo bazohet.

Bashkë me Bujën të akuzuar të këtij procesi janë edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Hasim Vishesella, Edmond Rexhepi, Driton Avdiu, Burim Kodra, Bajram Rizani dhe Magbule Sadiku.

Edhe tre nga këta të akuzuar në kohhën për të cilën ngarkohen ishin zyrtarë komunalë të Lipjanit.

Komuna e Lipjanit në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja më 21 mars 2008 kishte nënshkruar memorandum me “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” për dhënien me qira kësaj kompanie një ndërtesë të laboratorit në Lipjan.

Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet.

Me këtë prokuroria pretendon se i është shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Më 28 prill Buja u deklarua i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet.