Nga debati "Jeta në Komunë në asamblenë e Ferizajt | Foto: Atdhe Mulla

Shujtat në Ferizaj Konsiderohen Imitim i Shpend Ahmetit

Opozita në Komuna e Ferizajt inicimin e procedurës së prokurimit për furnizim me shujta për nxënësit e konsideron fushatë, të pazbatueshme dhe njëkohësisht imitim të zbehtë të kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.

Në anën tjetër komuna e mohon një gjë të tillë dhe thotë se ky tender ka qenë planifikuar para shpalljes së zgjedhjeve.

Komuna e Ferizajt ka iniciuar procedurën e tenderimit për furnizim me shujta ditore për nxënësit e shkollës fillore.

Për këtë tender, kjo komunë ka planifikuar jo më pak se 1 milion euro me një kohëzgjatje prej 12 muajsh.

Sipas njoftimit për kontratë, me këtë tender komuna planifikon të blejë nga 187 mijë e 110 copë korasant me eurokrem, lesnato me mollë, lesnato me vishje, burek/pide me djathë, kifle me virshlle, lesnato me djathë.

Lulzim Aliu nënkryetar i PDK-së në Komunën Ferizajt këtë procedurë prokurimi e konsideron shpenzim pa përfitim.

“E para është veprim politik sesa njerëzor apo human se sa ka pretenduar kryetari me pasë në këtë tenderim. E dyta, është e panevojshme dhe nuk është efektive që një shumë kaq e madhe parasheh afër 1 milion në vit mu harxhu për një vit, për 20-30 centë sa mund të përfitojë një nxënës“, tha ai.

Aliu më tej e konsideron si kopje të zbehtë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, veprimin e kreut të komunës lidhur me këtë tender.

Lidhur me këtë aktivitet të prokurimi KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Xhevat Sallahun asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë.

Sipas tij ky është vetëm një kopjim për fushatë, por jo i zbatueshëm.

“Atë janë tu e kopju po vetëm për fushatë, se Shpendi prej ditës që e ka marrë pushtetin i ka bo qeto rregullisht, shujtën e ka pasë në program të Lëvizjes kur ka kandidu për kryetar edhe e ka zbatu këtë, “ tha Sallahu

Ai më tej thotë se me këtë buxhet që ka komuna nuk mund të realizohet ky furnizim.

Zyrtarja për komunikim me publikun në Komunën e Ferizajt Shyhrete Topalli thotë se ky është një projekt 1 vjeçar dhe jo për të gjithë filloristët.

“Projekti ne fjalë është projekt-kornizë me afat prej 12 muaj. Shujtat janë të parapara vetëm për nxënësit e shkollave fillore të specifikuara për klasë 0 deri në klasë të 5- të”, shpjegoi Topalli për KALLXO.com

Ajo më tej tregoi se ky projekt ka qenë i planifikuar para se të shpallen zgjedhjet.

“Projekti në fjalë është projekt i cili ka qenë në plan të prokurimit për vitin 2017 (plan i cili është përpiluar ne fund të vitit 2016) andaj kjo procedurë është e planifikuar para se të shpallen zgjedhjet, të cilat janë te parakohshme. Përveç kësaj kërkesa për inicim te procedurës ne fjalë është bërë me  12.04.2017,” tha Topalli.

Topalli më tej mohoi se po kopjohet kryetari Ahmeti dhe Komuna e Prishtinës.

“Komuna e Ferizajt këtë projekt nuk e ka kopjuar nga asnjë komune tjetër, pasi që në specifikimin tonë nuk përfshihen vetëm kiflet mirëpo ajo përfshin shujta te ndryshme ( 12 lloje) duke i bashkangjitur edhe një lëng dhe biskotë,  projekt ky i cili është me i veçantë,” tha ajo për KALLXO.com.

Dje KALLXO.com shkroi për disa pitalka të dhëna falas në Gjilan në paketimin e së cilës ndodhej kartëvizita e një kandidateje për deputete të PDK-së.

http://kallxo.com/pdk-ndan-pitalka-per-vota/