Shtyllat që i Tregojnë Shumë Gjëra Gjakovës

Shtyllat multifunksionale që u ngjajnë atyre të ndriçimit janë inauguruar në Gjakovë, ndërsa do të shërbejnë për një varg çështjesh.

Zyrtarja për informim e Komunës së Gjakovës Abetare Domi tha për KALLXO.com se shtyllat multifunksionale janë pjesë e projektit “Smart City Gjakova” që komuna po e zhvillon në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Domi sqaroi se shtyllat multifunksionale kanë sensorë për matjen e temperaturës, shtypjes dhe lagështisë së ajrit, ndotjes së ambientit, shpejtësisë dhe drejtimit të erës, matjes se reshjeve te shiut.

Shtyllat shërbejnë edhe si pika kyçëse për rrjet pa tela dhe shërbime tjera komunikuese.

Sipas zëdhënëses Domi, këto shtylla do të ndihmojnë shumë në raste të ndryshme në Gjakovë.

“Këto shtylla do të luajnë një rol të madh në Komunën e Gjakovës pasi që në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike të komunës sonë dhe qytetarit do të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë për ngjarjet që do të ndodhin në Komunën e Gjakovës si dhe rasteve të ndryshme,” tha Domi.

UNDP-ja përveç për shtyllat multifunksionale ka ndihmuar Komunën e Gjakovës edhe në zbatimin e projekteve tjera për rritje të transparencës së pushtetit të këtushëm lokal, si e-rekrutimi dhe e-prokurimi.

Alessandra Roccasalvo nga UNDP-ja tha se me këto projekte Gjakova po avancon në aspektin digjital jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, duke e kompletuar figurën e qytetit të mençur.

Ndërsa Abetare Domi tregoi vlerën financiare të projektit për shtyllat multifunksionale.

“Projekti ka kushtuar 85 mijë euro, ndërsa është bashkëfinancim i komunës, UNDP-së dhe Austrian Development Agency (ADA),” shtoi Domi.

Shtyllat e mençura” janë të vendosura në katër hyrje-daljet dhe në qendrën e Gjakovës.