Shtyllat Anti-Parking Pengojnë Bizneset

Pronarët e bizneseve në kryeqytet, përpara të cilave janë vendosur shtyllat që pengojnë parkimin e veturave në trotuare, ankohen se shkaku i tyre nuk po munden të punojnë lirshëm. Ata thonë se këto shtylla po i pengojnë gjatë bartjes së mallit për në dyqanet e tyre si dhe po i zmbrapsin klientët që vijnë me vetura.

Ismet Sekiraqa, i cili punon në dyqanin “EuroRoleta”, në Prishtinë, tha se edhe pse shtyllat anti-parking janë lehtësim për lëvizjen e qytetarëve, ato janë problem për bizneset.

“Për qytetarë është lehtësim, mirëpo për biznese është pak problem. Nuk po mundet asnjë veturë me u parku, jo veç përpara, por kemi problem edhe mbrapa dyqanit,” thotë Sekiraqa.

Ai ankohet se disa bizneseve u është krijuar mundësi parkimi nga Komuna e Prishtinës e disave jo.

“Ne nuk kemi hapësirë për parking sepse është vetëm trotuar. Në pjesën më lartë është mundësia me u parku që e ka krijuar Komuna, por ajo pjesë nuk është e mirë, pasi dikujt me i kriju kushtet, e dikujt mos me i kriju kushte është problem,” shton Sekiraqa.

Kastriot Cana, pronar i një marketi në kryeqytet, thotë se po ka vështirësi për ta shkarkuar mallin me të cilin furnizon lokalin.

“Tash mallin po duhet me e shkarku në rrugë. Po e bllokojmë komunikacionin. Kalimtarëve u kanë ofruar më shumë hapësirë, por bizneset i kanë dëmtuar, një po e ndreqin një po e prishin,” thotë Cana.

Miranda Mullafazliu, zyrtare për informim në Komunës së Prishtinës, pranon se shtyllat anti-parking nuk janë pritur mirë nga biznesmenët.

“Po hasim në rezistencë, sidomos para objekteve afariste, edhe pse në këto zona parkimi është i ndaluar dhe shënuar me shenja te komunikacionit,” thotë Mullafazliu.

Gjellëtorja ”Nazi” është njëra ndër bizneset përpara së cilës janë vendosur shtyllat anti-parking dhe për shkak të mungesës së hapësirës për furnizim kjo gjellëtore është detyruar të largojë dy shtylla nga trotuari.

Fahri Rexhepi, pronari i kësaj gjellëtoreje, thotë se për largimin e shtyllave ka marrë një vërejtje nga Inspektorati i Shërbimeve Publike.

“Inspeksioni më ka dhënë një vërejtje për largimin e shtyllave. Momentalisht është problem furnizimi i lokalit me mall, mirëpo ne do të vazhdojmë të shkarkojmë mallin ashtu si të mundemi deri sa të marrim një vendim nga Komuna për lirimin e hapësirës para lokalit,” tha Rexhepi.

Sipas Halil Halilit, zyrtarit nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prishtinë, ky biznes ka leje për shfrytëzimin e hapësirës së vendosur si parking, mirëpo jo për largimin e shtyllave.

“Ai nuk ka pëlqim nga Komuna për lëvizjen e shtyllave, por ka pëlqim vetëm për shfrytëzimin e hapësirës së parkingut për kohë të përkohshme. As ai, as ndonjë kompani tjetër nuk e ka atë të drejtë me largu shtyllën pa një vendim nga Komuna,” tha Halili.

Qytetarët kanë mendime të ndryshme sa i përket vendosjes së shtyllave anti-parking.

Për Fetah Lutajn më pengesë kanë qenë parkimet e veturave sesa shtyllat anti-parking.

“Shtyllat nuk po na pengojnë. Bile na kanë pengu veturat që u parkojshin vend e pa vend. Për këmbësorë është më mirë,“ thotë Lutaj.

Mirëpo Jasemina Aliut, një qytetareje tjetër të kryeqytetit, nuk i pëlqejnë shtyllat.

“Së pari shija nuk më pëlqen, e dyta po pengojnë shumë dhe e kanë zvogëluar trotuarin, ngushtë na e kanë bërë neve në trotuar. Pa shije, harxhim veç me thanë se kanë bërë diçka”, tha ajo.

Deri më tani në Prishtinë janë vendosur 3700 copë shtylla anti-parking dhe 500 për mbrojtjen gjelbërimit.