Haki Rugova, LDK, Istog. Foto: Atdhe Mulla

Shtyhet sërish seanca, Haki Rugova rrezikon të sjellet me forcë në gjykatë

Sot në Gjykatën Themelore të Pejës ishte dashur të mbahej seanca fillestare e gjykimit ndaj Kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, por ai nuk është paraqitur për herë të dytë brenda muajit.

Edhe në seancën e kaluar, më 7 maj, Haki Rugova nuk ishte paraqitur fare në gjykatë.

Seanca e sotme ishte paraparë të fillojë në orën 10:00 mirëpo deri me tani ajo ende nuk ka filluar.

Në sallën e gjykimit, përveç publikut dhe mediave, nuk janë të pranishëm asnjëra nga palët në procedurë.

Kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, mori aktvendim që seanca të shtyhet në afat të pacaktuar, derisa të njoftohet se a i ka shkuar Rugovës në mënyrë të rregullt ftesa dhe nëse vërtetohet se i ka shkuar ftesa ai tha se do ta urdhëroj policinë për sjelljen e tij në gjykatë.

Por Haki Rugova tha përmes telefonit për KALLXO.com se nuk ka pranuar ftesë për të marrë pjesë sot në seancë, ndërsa tha se aktualisht gjendet jashtë Kosovës.

http://kallxo.com/haki-rugova-ende-pa-avokat-nuk-paraqitet-ne-gjykate/

KALLXO.com kishte raportuar në janar të këtij viti se Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte nisur hetimet ndaj Haki Rugovës bazuar në kallëzimin penal të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Në kallëzimin penal të kësaj Agjencie shpjegohej për dyshimet ndaj kryetarit të Istogut.

“Haki Rugova dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës sipas aktivitetit të prokurimit ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”, thuhej në kallëzim.

Aty tregohet se tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës, vëllait të Haki Rugovës, në vlerë prej 289,119.85 euro, kështu duke mundësuar interes financiar për të [Haki Rugovën] dhe personin juridik që ka të bëjë me të”.

Sipas kallëzimit të Agjencisë Kundër Korrupsion informacionet kjo Agjenci i kishte marrë nga BIRN dhe Interneës Kosova pasi që ky rast ishte raportuar në platformën për raportim të korrupsionit KALLXO.com.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ kundër Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale: konflikt i interesit”, thuhej në arsyetimin e kallëzimit penal të agjencisë.

Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore të Pejës por ajo është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë nga Prokuroria e Pejës për të qenë një hetim i pavarur me arsyetimin se prokurori i rastit në Pejë, Haxhi Sinani njihet personalisht me të dyshuarin dhe është në raporte shoqërore me të njëjtin.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, kishte raportuar ekskluzivisht për këtë rast në maj të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/hulumtim-komuna-e-familjes-rugova/