Pamje nga një seancë në rastin e njehsorëve "Kohler" - Foto: KALLXO.com

Shtyhet Seanca për Njehsorët ‘Kohler’

Mungesa e njërit nga tre të akuzuarit për keqpërdorim detyre dhe mashtrim të blerësve në lidhje me njehsorët “Kohler”, bëri që seanca e këtij gjykimi e paraparë për sot të mos zhvillohet.

Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti deklaroi se për mosprezencën e të akuzuarit Avni Alidemaj  ishte njoftuar nga avokati i tij Besnik Berisha.

“Në mëngjes e mora konfirmimin nga avokati i të akuzuarit se klienti i tij ka probleme shëndetësore dhe i njëjti nuk do të jetë i pranishëm në seancë”, tha Shashivar Hoti.

Në gjykatë nuk u paraqitën as dëshmitarët Fuad Deda, Rrahman Bernica, Haki Muqolli edhe pse nga trupi gjykues u tha se këta dëshmitarë ftesat i kanë pranuar dhe nuk e kanë arsyetuar mungesën.

Pasi që nuk u përmbushën kushtet për mbajtje të seancës gjyqësore, u vendos që kjo seancë të shtyhej për datën 9 qershor.

Aktakuza ndaj Vjollca Ajvazit, Drita Hamitit dhe Avni Alidemajt u ngrit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës më 6 tetor 2015.

Pjesë e aktakuzës ka qenë edhe Blerim Sokoli, i cili ndërkohë kishte vdekur.

Në këtë gjykim, ish-drejtori i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tanimë i ndjeri Sokoli, është akuzuar se në bashkëveprim dhe duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, u ka mundësuar palëve të interesit KEDS dhe atyre “Kohler” të përfitojnë dobi në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, pasi që dy zyrtarët e Metrologjisë Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin e lejimit të tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, Sokoli ka pranuar që ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik digjital të tipit “AEL. TF.04-1” të firmës “Kohler” nga Turqia.

Vjollca Ajvazi akuzohet se në mënyrë të paligjshme i rekomandoi Sokolit lejimin e këtij tipi të njehsorit, ndërsa Drita Hamiti ngarkohet se i ndihmoi Ajvazit për këtë rekomandim.

Në aktakuzë thuhej se të akuzuarit e dinin se këta njehsorë matnin në mënyrë të pasaktë.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/vazhdon-gjykimi-per-njehsoret-kohler/

http://kallxo.com/te-akuzuarit-per-njehsoret-kohler-deklarohen-te-pafajshem/