Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Shtyhet seanca në rastin e kontestit për kompensim dëmi

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës dështoi sot të mbahet gjykimi në kontestin civil, ku në cilësinë e të paditurave janë Komuna e Skenderajt, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Sipas padisë, Beqir Mehmeti ka paditur kompaninë N.N.P “Rukolli“, e cila si kryerëse e punës për asfaltimin e rrugës Likovc – Ticë në Skenderaj, të njëjtit i ka shkaktuar dëme.

Paditësi konsideron se është i dëmtuar materialisht nga e paditura pasi që gjatë shtruarjes së rrugës dhe asfaltimit të saj, para lokalit afarist të tij, gjendja paraprake e rrugës ishte nën nivelin e hyrjes në këtë lokal, nga të dy drejtimet e rrugës.

Bazuar në padi, që nga dita e parë e punës në ketë rrugë, paditësi Mehmeti kishte biseduar me inxhinierin e quajtur Adem, mbiemrin e të cilit nuk e dinte. Ai i kishte premtuar paditësit që nuk do të bëhet ngritje e dukshme e nivelit të rrugës por më së shumti 20 cm.

Pas kësaj Mehmeti edhe pse jo me dëshirë por për shkak të rëndësisë së rrugës ishte pajtuar me një gjë të tillë, duke ia përkujtuar inxhinierit se nëse do të bëhet një shkallëzim dhe mbinivelizim jashtë normave atij do t’i rrezikohej afarizmi dhe ekzistenca familjare.

Kjo për shkak të vështirësisë dhe pjerrtësisë së theksuar e cila do të pamundësonte parkimin e blerësve por edhe të vetë pronarit.

Mehmeti duke vërejtur se nuk po përfillej kërkesa e tij ishte takuar prapë me inxhinierin në fjalë duke i thënë: “Adem je duke ma mbyllur hyrjen e lokalit“, por nga i njëjti kishte marrë përgjigje me një ton të lartë: “Të kam thënë një herë nuk ki nevojë të më thuash prapë se e di unë këtë çështje“.

Në tetor të 2008 paditësi ishte vizituar nga kryetari dhe nënkryetari i Komunës së Skenderajt, duke kërkuar nga ai që të ketë mirëkuptim për mospengimin e kryerjes së punëve, pasi që kjo çështje do të evidentohej dhe ai nuk do të ishte fare i dëmtuar me nivelizimin e rrugës.

Në padi thuhej që së bashku me ta kishte qenë edhe kryerësi i punëve, tani e paditura Kompania  N.N.P “ Rukolli“.

Tri ditë më vonë Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit kishte autorizuar komisionin mbi konstatimin e vendit të ngjarjes.

Sipas këtij komisioni ishte thënë se pronari Beqir Mehmeti tani si paditës duhej t’i bëhet nivelizimi i rrugës me lokalin (shitoren) dhe t’i mundësohej hyrja në të pa pengesë.

Por kjo nuk ishte bërë, ndërsa kjo rrugë ishte inauguruar në qershor të vitit 2009.

Paditësi konsideron se përveç që është dëmtuar materialisht, ai ishte dëmtuar edhe nga rrjedha e ujit atmosferik nga kjo rrugë Likovc – Ticë, ku kanali paraprak me gjatësi afërsisht 100 metra ishte mbyllur dhe krejt ky ujë natyral rrjedh dhe kullohet para lokalit të tij.

Si pasojë e kësaj rrjedhe ishte bërë edhe ndotja e pusit të tij, për çka edhe ishte helmuar fëmija i tij 17 vjeçar.

Në seancën e mbajtur me 2 shkurt të këtij viti me propozim të paditësit Mehmeti e me aprovim dhe vendim të gjykatës ishte bërë zgjerimi i kërkesëpadisë dhe padisë ku përveç N.N.P “ Rukolli“, në cilësinë e të paditurave do të jenë edhe Komuna e Skenderajt, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në seancë ishte prezent avokati publik i Komunës së Skenderajt, Enver Qerkini.

Ndërsa në seancën e sotme nuk ishte prezent askush për të paditurën e parë N.N.P “ Rukolli edhe pse të njëjtës i ishte dërguar ftesë në mënyre të rregullt, e cila nga fletë kthesa rezulton se është pranuar, por mungesa nuk ishte arsyetuar.

Gjithashtu as nga Ministria e Drejtësisë askush nuk ishte prezent. Të njëjtës i ishte dërguar ftesë me kohë po nga shërbimi postar i kësaj gjykate nuk ka arritur kurrfarë konfirmimi se e njëjta ka pranuar apo refuzuar ftesën për në seancën e sotme.

Andaj gjyqtari Skender Shala njoftoi se nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës, kurse seanca e ardhshme u caktua të mbahej për datën 21 maj.

Kurse Ministrisë së Drejtësisë do t’i dërgohet përsëri ftesë në mënyrë të rregullt.