Shtyhet Seanca Ndaj ish- Punëtorëve të NLB Bankës

Seanca kundër katër ish-punëtorëve  të akuzuar të Degës së Bankës NLB në Suharekë është shtyrë ngase avokatja Shpresa Rexhepi i paraqiti dy prova te cilat nuk i kishte ne origjinale.

Sapo filloi seanca gjyqësore, avokatët e te akuzuarve kërkuan që të mos lexohet aktakuza pasi që njëri nga anëtarët e trupit gjykues sapo është emëruar.

Në këtë mënyrë, avokatët kërkuan që të lexohen vetëm shkresat e deklaratat e dëshmitarëve dhe të dëmtuarve si dhe procesverbalet e seancave të kaluara.

Edhe prokurori i rastit Fehti Tunuzliu u pajtua me këtë propozim.

“Edhe unë pajtohem me propozimin e avokatit Bajram Tmava, dhe kërkoj që në këtë çështje penale të lexohen dëshmitë e dëshmitarëve/të dëmtuarve të dhëna në shqyrtimet gjyqësore”, tha prokurori.

Tunuzliu kërkoi që në cilësi të provës të merret edhe ekspertiza plotësuese financiare.

Burim Ademaj, Ilir Kryeziu, Maliq Behluli dhe Besnik Delijaj akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për disa vepra penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës, të mashtrimit dhe të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose të autorizimit.

Katër të akuzuarit ishin punëtorë të Degës së Bankës NLB në Suharekë, ndërsa akuzohen se përdorën për përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete para të afatizuara të klientëve të kësaj banke gjatë periudhës 2008- 2011.

Shpresa Rexhepi, përfaqësuese e palës së dëmtuar Rrahim Kolgecit, tha se klienti i saj nuk është kompensuar fare nga ana e NLB-së.

“I dëmtuari Rrahim Kolgeci nuk është kompensuar nga e ashtuquajtura pala e dëmtuar NLB Banka në Prishtinë, dhe borxhi i bankës ne raport me Kolgecin ka mbetur i pashlyer”, tha avokatja.

Avokatet mbrojtës i kundërshtuan propozimet e prokurorit, mirëpo nuk kërkuan ndonjë ekspertizë të re financiare.

Avokatja Shpresa Rexhepi propozoi edhe dy prova, një  kontratën mbi depozitimin e afatizuar e po ashtu edhe një kopje të trezorit.

Mirëpo këto prova të avokates u kundërshtuan nga përfaqësuesit e NLB Bankës në Prishtinë.

Avokatja këto dy prova i paraqiti të kopjuara e jo në origjinale ndërsa trupi gjykues nuk pati mundësi të vendosë për to.

Si rezultat i kësaj, me pëlqimin edhe të palëve në procedurë u vendos që seanca e sotme të shtyhet për 27 qershor 2016.