Gjykata Themelore në Gjilan

Shtyhet Seanca e Gjykimit të Zyrtarëve të Kadastrës

Seanca ndaj Hidajete Aliut, Fadil Hoxhës dhe Tajar Nezirit ishte duke u zhvilluar paraditen e ditës së sotme, kur rreth orës 11:00 u ndal rryma në gjykatë.

Pasi në objektin e Gjykatës Themelore në Gjilan nuk funksiononte gjeneratori, seanca e këtij gjykimi u shty për orën 14 e 30 minuta.

KALLXO.com shkroi sot për ndërprerjen e rrymës në këtë gjykatë dhe për përpjekjen e punonjësve të saj që ta aktivizojnë gjeneratorin, duke e lidhur me baterinë e një makineje zyrtare.

Pesë seanca që ishin duke u zhvilluar në kohën e ndaljes së rymës u shtynë në kohën e pasdites.

http://kallxo.com/pese-seanca-nderpriten-per-mungese-rryme/

Por gjykimi ndaj tre zyrtarëve komunalë nuk vazhdoi në orën e caktuar, edhe pse palët e përfshira në të pritën 50 minuta në korridor të objektit të gjykatës.

Seanca nuk u mbajt, ngase në këtë kohë kryetarja e trupit gjykues Emine Salihu, kishte një shqyrtim tjetër gjyqësor.

Hidajete Aliu akuzohet se më 2 maj të vitit 2014 në cilësi të zyrtares ligjore në Drejtorinë e Gjeodezisë dhe Kadastrës në Viti në bazë të kërkesës së NSh “Agromorava”, ka hartuar dhe nënshkruar një aktvendim, duke bërë ndërrimin e titullarit të pronës ,e ngastrës kadastrale Nr. 1589 ZK- Stubëll e Epërme nga pronari Nue Ballabani në atë të NSh “Agromorava”.

Ndërkaq Fadil Hoxha në cilësi të kadastrit, e Tajar Neziri në cilësi të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Kadastrës ngarkohen se kanë nënshkruar këtë vendim, me ç’rast të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Seanca e rradhës është caktuar më 22 shkurt.