Enver Hasani në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Shtyhet Seanca e Gjykimit të Enver Hasanit

Seanca ku Enver Hasani akuzohet në lidhje me përkthimin e librave për UP-në është shtyrë për mungesë të prokurores.

Seanca e paraparë të mbahej sot në rastin ku Enver Hasani dhe dy persona të tjerë po akuzohen lidhur me përkthimin e librave për Universitetin e Prishtinës u shty për një datë tjetër.

NDËRLIDHUR

Arsye për shtyrjen e seancës u bë një kërkesë më shkrim e prokurores së Prokurorisë Speciale Drita Hajdari, e cila kërkoi nga Gjykata Themelore që të shtyjë seancën për shkak të një udhëtimi zyrtar jashtë vendit.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Enver Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohen se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit se, sipas marrëveshjes paraprake, kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Në aktakuzë pretendohet se ky ndryshim çmimi i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare.

Enver Hasani, Hakif Veliu e Albert Rakipi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Lidhur me këtë gjykim KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.

09 Qershor 2017 - 11:05

Labinot Leposhtica 09/06/2017 - 11:05
NDËRVEPRIMI6

Shtyhet Seanca e Gjykimit të Enver Hasanit

by Labinot Leposhtica
NA NDIQNI