Pamje nga takimi i sotëm i Komisionit të Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Shtyhet Përpara Marrëveshja për Kredi me Bankën Austriake

Marrëveshja me Bankën e Austrisë për marrjen e një kredie për modernizimin e shërbimeve të Kardiologjisë Invazive ka qenë temë diskutimi e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale disa herë.

Mirëpo, sot Komisioni votoi njëzëri procedimin më tutje të kësaj marrëveshje.

Kryetarja e Komisionit, Flora Brovina, tha se ka pasur bisedë edhe me ministrin e Financave për shqetësimin e saj se vlera e aneksit të kontratës prej 500 mijë eurosh është shumë e lartë.

“Mora përgjigje se nuk ka mundësi ndryshimi por ka mundësi kontrollimi të mjeteve të huazuara si kredi e butë”, tha Brovina.

Ajo theksoi se Komisioni për Shëndetësi dhe ai për Financa duhet ta monitorojnë këtë projekt.

Hatim Baxhaku nga LDK-ja e përkrahu këtë marrëveshje. “Unë mendoj që kësaj marrëveshje duhet t’ia japim vizën që të shkojë në Kuvend dhe të lobojmë që të ratifikohet“, tha ai.

Ndërsa shtoi se për aneksin e kontratës duhet të shihet se si mund të bëhet implementimi.

Kurse, Besa Baftija nga Lëvizja Vetëvendosje tha se kjo marrëveshje ka ngjallur shumë dilema te anëtarët e Komisionit.

“Por ne jemi për këtë marrëveshje, për këtë kredi shumë të butë pothuajse me zero interes prandaj ne e përkrahim por duke u nisur nga ajo se deri më tani janë dhënë miliona në Kirurgjinë Invazive dhe nuk dihet se si kanë përfundu ato, nuk ka dhënë llogari deri më tani askush“, tha deputetja e VV-së.

Ajo insistoi se ministri është dashur të japë llogari për milionat e dhëna për funksionalizimin e Kardiologjisë Invazive .

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë marrëveshje, atëherë kur anëtarët e Komisionit kishin shumë pyetje e dilema, sidomos pasi që vlera e kredisë ishte rritur për 500 mijë euro.

http://kallxo.com/ministri-tenton-ta-shese-marreveshjen-e-refuzuar-pa-asnje-ndryshim/