Gjykimi për vrasjen e Mentor Zekajt | Foto: KALLXO.com

Shtyhet në qershor gjykimi për vrasjen e Mentor Zekajt

Mosgatishmëria për ta dhënë mbrojtjen e tij gjatë seancës se nesërme dhe problemet shëndetësore shtynë të akuzuarin Kreshnik Haliti, t’i kërkojë trupit gjykues shtyrjen e seancës së paraparë për nesër.

Kreshnik Haliti, po gjykohet për vrasjen e ish-shokut të tij, Mentor Zekajt, vitin e kaluar në Pejë.

Gjatë seancës se sotme, i akuzuari, Kreshnik Haliti, tha se ka bërë një intervenim kirurgjik në kokë dhe nuk është i gatshëm që mbrojtjen e tij ta japë gjatë seancës se nesërme.

Kjo bëri që trupi gjykues, seancën e paraparë të mbahet nesër, ta shtyjë për muajin qershor, duke e caktuar në ditën e 27 të muajit që vjen.

Në këtë ditë Kreshnik Haliti pritet ta japë mbrojtjen e tij, ndërsa dy ditë më vonë është paraparë të jepet fjala përfundimtare nga palët.

Gjatë seancë se sotme kanë dëshmuar dy ekspertë nga Instituti i Forenzikës se Kosovës, për raportin e përpiluar mbi ekzaminimin e gjendjes psikike të të akuzuarit.

Ekspertët, Jeton Zoja dhe Naim Uka, thanë se mbështesin në tërësi raportin e përpiluar me urdhëresën e gjykatës, mirëpo mbrojtja e të akuzuarit e kundërshtoi këtë raport, duke e cilësuar jo të plotë.

Avokati i të akuzuarit, Bahtir Troshupa, propozoi që ndaj të mbrojturit të tij të bëhet sërish një super-ekspertizë, por ky propozim nuk u aprovua nga trupi gjykues.

Gjatë seancës se sotme, u bë edhe leximi i provave që janë pjesë e shkresave të lëndës.

Avokati i Kreshnik Halitit, Bahtri Troshupa, kërkoi nga trupi gjykues të lexohet një letër e gjendur në xhepin e viktimës ditën kritike.

Anëtari i trupit gjykues e lexoi letrën e gjetur në xhepin e viktimës Mentor Zekaj, ku ndër të tjera thuhej se është shkruar dhe nënshkruar nga Kreshnik Haliti.

Sipas letrës së lexuar nga gjyqtrari, aty thuhej se ai ka në plan shitjen e një parcele dhe nga qiraja e një pompe të benzinës do kompletoheshin 77 mijë euro.

Prokurori, Ardian Hajdaraj, tha se kjo provë është pjesë e aktakuzës, është cekur edhe në fjalën hyrëse të këtij gjykimi dhe e njëjta do elaborohet gjatë fjalës përfundimtare.

Edhe avokati mbrojtës i familjes se Mentor Zekajt, Gëzim Kollçaku, tha se kjo është ndër provat kryesore, kur vërtetohet borxhi i të akuzuarit ndaj viktimës dhe motivet e vrasjes.

Ndërsa, avokati i Kreshnik Halitit, Bahtir Troshupa, tha se kjo provë nuk duhet të administrohet.

“E kundërshtoj administrimin e kësaj prove. Është e vërtetë që është shkruar dhe nënshkruar nga Kreshnik Haliti, por nuk iu ka dedikuar Mentor Zekës, nuk është kërkesë për borxh, nuk është dëshmi e dhënies se parave, as marrjes së parave, por këtu përshkruhet gjendja financiare e familjes se tij”, tha Troshupa

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti, të gjitha raportimet mund t’i gjeni në ketë link. http://kallxo.com/?s=mentor+zekaj