Shtyhet mbyllja e Kosova A

Një burim i gazetës Jeta në Kosovë i angazhuar në hartimin e të ardhmes së energjisë në vend tha se planet për ta mbyllur ndotësin më të madh në vend, Kosova A, deri më 2015, ose 2017, jozyrtarisht janë hedhur poshtë dhe se KEK’u po planifikon që ta mbajë atë të hapur deri më 2025.
 
Sipas KEK’ut, Kosova A nuk mund të mbyllet deri sa nuk krijohen kapacitete të reja gjeneruese.

“Mbyllja e Kosovës A është e lidhur ngushtë me kapacitetet e reja gjeneruese, në këtë rast të Kosovës së Re”, Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK-ut, i tha të martën Gazetës Jeta në Kosovë.

Buzhala shtoi se Kosovës A do të fillojë të asgjësohet në të njëjtën kohë edhe kur fillon ndërtimi i Kosovës së Re, projekt i cili ka ngecur ndonëse Qeveria vazhdon ta shtyjë atë si prioritet. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka thënë edhe të martën se ‘Qeveria është e përkushtuar të vazhdojë me ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re’.

Në një studim për asgjësim të Kosovës A, të kryer nga kompania EVONIK me fonde të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Europian, ECLO, ishte këshilluar që të gjitha punët të fillonin vitin e kaluar në mënyrë që hapësira ku gjendet Kosova A të pastrohej e tëra deri më 2020.

Kosova A, e ndarë në pesë njësi gjeneruese ishte planifikuar të mbyllet më 2010 dhe plani për të mbyllur njësitet A1 dhe A2, që nuk janë në funksion prej përfundimit të luftës në Kosovë, ishte që të mbylleshin para përfundimit të vitit 2012.

A3-shi ishte paraparë të mbyllet gjatë vitit 2013, A4-shi para fundit të vitit 2104, dhe njësiti i fundit A5-shi, para fundit të vitit 2015.

Kundërshtimet e planeve të Qeverisë për ngritjen edhe të një termocentrali të ri të thëngjillit janë rritur pasi banorët frikësohen se problemi i ndotjes, që ka shkaktuar probleme të mëdha shëndetësore, mund të zgjerohet. 

Një grup kosovarësh madje kishin deponuar një ankesë lidhur me mostransparencën në aspektin e ndikimeve mjedisore në planin e privatizimit të KEK’ut tek Institucioni i Ombudspersonit nga Washingtoni, CAO [Compliance Advisor Ombudsman], që është mekanizëm i pavarur që kanalizon ankesat e popullatës lokale ndaj Korporatës Ndërkombëtare Financiare, IFC.