Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: KALLXO.com

Shtyhet Gjyqi për Fajde

Pasi në gjykimin ndaj Agim Berishës dhe Xhavit Musajt nuk ishin prezentë as i dëmtuari dhe asnjë nga dëshmitarët e thirrur, trupi gjykues vlerësoi se nuk ka kushte për mbajtje të shqyrtimit gjyqësor.

Avokatët Arben Xheladini dhe Gëzim Kollqaku propozuan që seanca të vazhdonte me fjalët hyrëse por prokurori kundërshtoi duke thënë se nuk ka kushte pasi mungon i dëmtuari.

Agim Berisha akuzohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan se ka kryer veprën penale fajde.

Sipas aktit akuzues në prill të vitit 2008 në restorant “Planeti” në Gjilan, i akuzuari i ka huazuar të dëmtuarit Mustafë Rexhepi një shumë parash prej 100,000 euro me interes mujor prej 3%.

Prokuroria pretendon se në atë kohë të njëjtit kanë lidhur një kontratë në bazë të së cilës këto mjete huazohen në afat prej 1 viti, me mundësi zgjatjeje prej 2 vitesh.

Por, sipas Prokurorisë i dëmtuari pas 1 viti kishte marrë përsëri para nga i akuzuari duke arritur shumën prej 145.000 euro.

Mirëpo, 3 vite më vonë, në mars të vitit 2011, në pamundësi të kthimit të borxhit, dy të lartëpërmendurit kishin arritur edhe një marrëveshje tjetër për para.

Në marrëveshjen e arritur ishte paraparë që në rast se Mustafë Rexhepi nuk arrin ta kthejë borxhin prej 300,000 euro deri në fund të vitit 2011, atëherë interesi vjetor për këtë kontratë do rritej në 7%.

Pastaj kishin vazhduar duke lidhur një kontratë gojore deri në prill të vitit 2014, ku i dëmtuari përmes një deklarate dhe parakontrate i bartë të pandehurit dy banesa në Fushë-Kosovë.

Ndërsa i pandehuri Xhavit Musaj dyshohet se nga dhjetori i vitit 2013 deri në mars të 2014 ka kanosur të dëmtuarin Mustafë Rexhepi, duke i dërguar SMS me përmbajte kërcënuese për kthimin e borxhit.

Prandaj, ai dyshohet se ka kryer veprën penale kanosje.