Gjykata Themelore në Gjilan

Shtyhet Gjykimi për Terrorizëm

Kryetari i trupit gjykues Agim Ademi në fillim të seancës gjyqësore njoftoi palët që avokati Rrahmon Kastrati përmes një parashtrese ka kërkuar që gjykimi të shtyhet pasi ndodhet në Strasburg.

Për këtë gjykata kishte njoftuar edhe prokurorin Elez Blakaj që të mos paraqitej në gjykimin e sotshëm pasi ai do të shtyhej për mungesë të kushteve për mbajtje të gjykimit.

Mentor Zejnullahu akuzohet për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist në tentativë, ndërsa në seancën fillestare në prill të këtij viti tha se nuk e dinte që ISIS-i ishte organizatë terroriste.

“Nuk e pranoj që e kam kryer këtë vepër penale dhe nuk e kam ditur që janë grup terrorist,” kishte thënë Zejnullahu para gjykatës.

http://kallxo.com/akuzuari-nuk-e-dija-qe-isis-eshte-grup-terrorist/

Sipas Prokurorisë Speciale, Zejnullahu më 29 gusht të vitit të kaluar ishte nisur drejt Tiranës me qëllimin për të shkuar në Turqi e më pas në Siri për t’iu bashkuar ISIS-it, por udhëtimi i tij kishte përfunduar në Aeroportin “Nënë Tereza” të kryeqytetit shqiptar, pasi ai nuk ishte lejuar të udhëtojë nga Policia e Shqipërisë.

Aktakuza sqaron se në deklarimin e tij në prokurori Zejnullahu kishte thënë se para një viti kishte nisur t’i kryejë ritet fetare së pari në xhaminë e fshatit Tërpezë të Vitisë, e pastaj edhe në atë “El Kudus” të Gjilanit ku ndiqte ligjëratat e imamit të akuzuar për rekrutim në terrorizëm Zeqirja Qazimi.

Qazimi u dënua para gjashtë ditësh me dhjetë vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

http://kallxo.com/denohet-zeqirja-qazimi/

Në aktakuzë bëhet me dije se Mentor Zejnullahu kishte kontakte edhe me Ridvan e Astrit Haqifin, të cilët derisa ishin në Kosovë i kishin thënë Zejnullahut se jeta në Siri është më e mirë duke e nxitur që të shkojë atje për t’iu hequr fukarallëkut në Kosovë.

Haqifët e kishin udhëzuar Zejnullahun që të nxjerrë biletën për Stamboll dhe pastaj të udhëtojë drejt Gazientepit të Turqisë, ku do të telefononte disa njerëz për ta dërguar në Siri.

http://kallxo.com/drejt-sirise-per-heqje-te-fukarallekut/

Në deklaratën në prokurori Mentor Zejnullahu kishte thënë se kishte tentuar të nisej drejt Stambollit pasi kishte nxjerrë biletën e aeroplanit në Tiranë me vetëm 177 euro, të cilat i kishte marrë borxh.