Gjykimi për përleshjen | Foto: KALLXO.com

Shtyhet Gjykimi për Përleshjen në Diskotekën ‘Hangover’

Ilir Kameri, njëri nga pesë të akuzuarit për përleshjen në diskotekën verore “Hangover” në Gjakovë vitin e kaluar mungoi në seancën ku duhej të deklarohej rreth fajësisë apo pafajësisë.

Kameri akuzohet për lëndim të rëndë trupor.

Avokati Haxhi Çekaj që në këtë proces gjyqësor mbron Gurakuq Haradinajn tha se i akuzuari Kameri gjendet për shërim në Zvicër, ndërsa kërkoi veçimin e procedurës ndaj dhe vazhdimin e gjykimit veçmas për katër të akuzuarit tjerë.

Por Ndrec Dodaj, avokati i të akuzuarit Bëmirës Dervishdana kundërshtoi veçimin e procedurës ndaj Ilir Kamerit, duke treguar se ka informata që ai ndodhet në Kosovë.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Uka tha se fillimisht duhet të shterohen  mundësitë procedurale përmes organeve të policisë për të verifikuar prezencën e të akuzuarit Kameri, pastaj të diskutohen mundësitë tjera.

Ndaj Ilir Kamerajt u lëshua urdhërarrest për sjellje me detyrim, ndërsa seanca e radhës u caktua më 28 korrik.

Sipas aktakuzës, i akuzuari  Bëmirës Dërvishdana me datën 30 korrik të vitit të kaluar rreth orës 02:30 pas mesnate në diskotekën “Hangover” me një pistoletë të kalibrit 7.65 mm ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve.

Në aktakuzë tregohet se pas një konflikti verbal me të akuzuarin Ilir Kamberi dhe sulmi fizik që kishte ndodhur, nga brezi Dervishdana e nxori revolen duke shtënë dhe plagosur në këmbën e majtë Gurakuq Haradinajn si dhe plagosur Ilir Kamberin po ashtu në këmbën e majtë.

Ndërsa të akuzuarin Ilir Kamberi, prokuroria e ngarkon me veprën penale të lëndimit të rëndë trupor ngase natën kritike “me boks të hekurit të dëmtuarin Bëmirës Dërvishdana e ka goditur në pjesën përfundi syrit të djathtë dhe në kokë si dhe me shkelma I shkaktoi lëndime: thyerjen e kockës së orbitës së djathtë, thyerjen e murit të jashtëm të sinusit, thuhet mes tjerash në akuzë.

Ndërkaq tre të akuzuarit e tjerë, Gurakuq Alimehaj, Gurakuq Haradinaj dhe Gjenial Dervishdana prokuroria i ngarkon me veprën penale të pjesëmarrjes në rrahje

“Këta janë përfshirë në rrahje ku në një anë kanë qenë Ilir Kameri, Gurakuq Haradinaj dhe Gurakuq Alimehaj, ndërsa në anën tjetër Bëmirës Dërvishdana dhe Gjenial Dërvishdana janë përleshur me grushta dhe shkelma mes veti”, thuhet në aktakuzë.