Shtyhet Gjykimi për Bixhoz e Fajde për Shkak të Trupit Gjykues

Në këtë proces gjyqësor, përveç se akuzohet për fajde, Arsim Limani akuzohet se nuk ka poseduar licensë për organizimin e bixhozit dhe lojërave të llojit të kazinove apo atyre të fatit.

Në bazë të aktakuzës, që nga viti 2015 e deri më 2016, i akuzuari Limani u ka dhënë shuma të caktuara të parave me fajde të dëmtuarve Bekim Peqani, Ergin Alija, Mendim Puqolli, Naim Peqani, Lulzim Peqani, Arben Emini, Arben Xhibegjiut dhe Agron Hajdinit, ndërsa më pas ka përfituar shuma më të mëdha të të hollave nga ta.

Në aktakuzë thuhet se Limani i ka dhënë 20.000 euro dhe një veturë në vlerë prej 9.000 euro Bekim Peqanit, por në këmbim i ka marrë një Golf V në vlerë prej 8.000 euro, Audi A5 në vlerë prej 25.000, 1.000 euro para të gatshme, si dhe i ka kërkuar 15.000 euro duke i vënë afat dhe në rast se nuk i jep paratë, e ka kërcënuar se do të ja marrë shtëpinë.

Më tutje, Gani Emini i kishte marrë nga Limani 4.500, me ç’rast i akuzuari ia ka marrë peng edhe kartelën bankare dhe është detyruar që në emër të fajdesë t’ia kthejë 1 ari tokë të shtëpisë. Në krahasim me borxh, sipas aktakuzës, toka kishte vlerë më të madhe.

Poashtu, i akuzuari ka lidhur kontrata të ndryshme mbi shitblerjen e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme mbi shitblerjen e banesës.

Kontratë mbi shitblerjen e patundshmërisë kishte lidhur edhe me të dëmtuarin Arben Xhibegjiun dhe të njëtit i kishte dhënë para me fajde në shumën prej 10.000 euro. E për këtë shumë, i dëmtuari Xhibegjiu ka pasë për ti kthyer 40.000 euro deri në fund të vitit 2020, ose ka pasur për t’ja kthyer banesën.

Xhibegjiu në emër të fajdes, për çdo ditë vonesë ka pasur të paguajë shumën prej 50-100 euro në ditë.

Siç thuhet në aktakuzë, përveç fajdes, i akuzuari Limani që nga viti 2009 gjer në vitin 2016, ka organizuar dhe ka marrë pjesë, apo edhe ka ndihmuar në organizimin e bixhozit dhe lojërave të fatit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.

Sipas aktakuzës, i akuzuari ka vendosur tre aparate pa pasur licensë në Fushë Kosovë për zhvillimin e lojrave të fatit, ndërsa dy të tjera i ka pasur të vendosura në shtëpinë e tij.

Aparatet të tipit “Cobra” dhe ato për video game, kanë ndikuar që persona të ndryshëm të marrin fajde nga i akuzuari Limani, me qëllim që të luajnë në këto aparate.

Personat të cilët kanë marrur fajde kanë humbur shuma të caktuara të parave, deri sa i akuzuari në mënyrë të kundërligjshme ka fituar shuma të mëdha të parave nga ta.

Vlera e parave të fituara sipas aktakuzës sillen prej 2000-5000 euro në muaj, ndërsa gjatë bastisjes më 27 shtator 2016, në kuletën e tij i janë konfiskuar 1002 euro, ku në të njëjtën kohë edhe i janë konfiskuar aparatet e pa licensuara.

Me rastin e bastisjes, Limanit i janë konfiskuar edhe 2.500 euro, ku sipas aktakuzës janë vërtetuar që janë fituar në mënyrë të kundërligjshme, si dhe i janë konfiskuar dy vetura, një Mercedes dhe një Alfa Romeo.

Përveç të hollave e veturave, atij i janë konfiskuar edhe leternjoftimet në emër të personave Menim Puçolli dhe Sherif Berisha, pastaj pasaporta në emër të Ergin Alija, Rrahman Rrahmani, Adnan Jusufi, Agron Hajdini, Blerim Haziri, Nezir Bejiqi, Dirton Halimi.

Këto dokumente rezultuan të jenë ndalur nga i akuzuari për shkak të borxheve të cilat i kishin pasur të dëmtuarit ngaj tij, deri në momentin e pagesës së fajdeve.

Për shkak të këtyre veprave, Limani ngarkohet me veprën penale organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, si dhe me veprën penale fajde.