Foto: Kallxo.com

Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarës për polisa të sigurimit

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës sot ishte paraparë që të mbahet gjykimi në rastin e të akuzuarës Sanja Radojeviq por mungesa e dëshmitares Edi Daci- Prapashtica e cila ishte ftuar të dëgjohej në këtë seancë bëri që kjo seancë të shtyhet.

Gjyqtari Beqir Halili njoftoi palët së dëshmitarja ishte ftuar në mënyre të rregullt mirëpo nuk e kishte arsyetuar mungesën e saj.

Por përfaqësuesi i palës së dëmtuar, kompanisë së sigurimeve “Illyria, e cila në kohën e kryerjes së veprës së dyshuar kishte emrin “Dukagjini”, Fatos Zajmi, deklaroi se dëshmitarja mbrëmë e kishte njoftuar se ishte e sëmurë dhe nuk ka pasur mundësi të paraqitet në gjykatë, ndërsa tha se nëse është e nevojshme, në seancën tjetër do t’ia paraqesë gjykatës raportin mjekësor.

Zajmi deklaroi se e dëmtuara ka paraqitur kërkesën pasurore juridike në lartësinë e dëmit të shkaktuar prej 5,263.55 euro.

Gjithashtu e dëmtuara kërkon kthimin e të gjitha blanko polisave me të cilat është ngarkuar derisa të njëjtat nuk i janë kthyer të dëmtuarës .

Zajmi në kërkesën pasurore juridike tha se e akuzuara Sanja Radojeviq ka keqpërdorur pozitën e saj zyrtare ne cilësinë e punonjëses të kompanisë – agjente e shitjes se polisave nga auto përgjegjësia të cilën pozite e kishte mbajtur bazuar në kontratën e punës nga data 27 janar 2005 deri më 31 dhjetor 2006 për të cilën kohë mjetet e inkasuara nga të siguruarit nuk i ka derdhur në tërësi në llogarinë bankare të të dëmtuarës – KS “Illyria” me të cilat veprime e ka dëmtuar kompaninë në shumë prej 5263.55 euro.

Gjithashtu në ketë kërkese thuhet se tek e akuzuara kanë ngelur një numër i polisave blanko dhe se “kompanisë i kanë mbetur të pakthyera gjithsej 60 copë polisa blanko, për vitin 2005 gjashtëmbëdhjetë copë për vitin 2006 – 44 copë polisa nga auto përgjegjësia si dhe 100 copë polisa blanko të sigurimit nga auto përgjegjësia për kalim ndërkufitar të ashtuquajtura polisa TPL Kosova Plus”.

Zajmi njoftoi gjykatën se KS “Dukagjini” i kishte dorëzuar kërkesë në formë të shkruar Bankës Qendrore për miratimin e ndërrimit të emrit.

Kurse BQK, bazuar në ligjin e aplikueshëm për sigurime me datë 15 korrik 2010, e kishte njoftuar KS “Dukagjini” se është aprovuar ndryshimi i emrit, nga KS “Dukagjini” në KS “Illyria”.

Sipas aktakuzës, Sanja Radojeviq në periudhës kohore janar 2005 deri më 31 dhjetor 2006, duke ushtruar detyrën zyrtare – agjente pranë zyrës së sigurimeve ne ish-kompaninë e sigurimeve “Dukagjini”, ka përvetësuar detyrën zyrtare duke i sjellë vetës dobi pasurore përmes shitjes së policave nga auto përgjegjësia e sigurimeve në emër të llogarisë së kompanisë.

Ndërsa nga mjetet e fituara nga shitja e policave në mënyrë simbolike një pjesë i kishte derdhur në llogarinë e kompanisë, ndërsa pjesën më të madhe i kishte derdhur në llogarinë e vetë bankare.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me datën 20 qershor.