Shtyhet Gjykimi Ndaj Naser Osmanit dhe të Tjerëve

Gjykimi i deputetit Naser Osmani është shtyrë për shkak se në seancë nuk erdhi e akuzuara Melita Ymeraga.

Në këtë gjykim përveç deputetit Osmani të akuzuar janë edhe shtatë persona të tjerë.

NDËRLIDHUR

Aktakuza ka të bëjë me privatizimin e fabrikës ‘FAN” në Podujevë.

Së bashku me Naser Osmanin të akuzuar janë edhe Agim Deshishku, si blerës i fabrikës, si dhe 6 zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP): Melita Ymeraga, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Agron Kamberi dhe Adrian Kelmendi.

Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, bëri të ditur se kishte pranuar një shkresë nga e akuzuara Melita Ymerhaga, ku thuhej se gjendet jashtë Kosovës.

“E kam marrë një parashtresë nga e akuzuara Melita Ymeraga përmes mbrojtësit të saj, por shkresën e kam marrë pasi që unë e kam caktuar gjykimin dhe në shkresë shkruan se e njëjta nuk gjendet në shtetin e Kosovës”, tha Hoti.

Seanca e fundit e mbajtur për këtë proces gjyqësor ka qenë në maj të vitit 2016, ndërkaq e radhës u caktua për në fund të muajit maj të këtij viti.

Sipas aktakuzës Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona të tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të ndërmarrjes së re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të.

Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar ndërmarrjen e re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime Prokuroria pretendon se Osmani e Shabani kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm të vetes ose blerësit të fabrikës.

Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim”.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN”, akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.

Kallxo.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor.

Naser Osmani Para Gjyqit

http://kallxo.com/seanca-ndaj-deputetit-shtyhet-per-vdekje-te-avokatit/

20 Prill 2017 - 20:06

Arita Gërxhaliu 20/04/2017 - 20:06
NDËRVEPRIMI0

Shtyhet Gjykimi Ndaj Naser Osmanit dhe të Tjerëve

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend