Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Shtyhet Gjykimi Ndaj Ish-Policit që Plagosi Ish të Fejuarën

Gjykimi ndaj ish-policit, Artim Gashi, i cili akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj ish të fejuarës, është shtyrë për shkak se i akuzuari nuk është sjellë në Gjykatë.

Kryetari i trupit gjykues, Naser Foniqi, tha se i akuzuari nuk është sjellë për shkak se është revokuar urdhri për sjellje nga njësia e transportit.

Kjo pasi që drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Gani Halilaj, e ka njoftuar Gjykatën se akoma nuk është kryer ekzaminimi i urdhëruar nga Gjykata.

Ai theksoi se ka pranuar një email zyrtar përmes të cilit është njoftuar se i akuzuari më 18 tetor të këtij viti është pranuar në Institutin e Psikiatrisë Forenzikë, i cili pritet të bëjë ekzaminimin dhe konstatimin që ta sjellë në gjykatë.

“Për shkak të natyrës së problemit- veprës dhe gjendjes së të ekzaminuarit kanë kërkuar më shumë kohë për vendim dhe konstatim, si dhe kanë kërkuar nga gjykata që t’u mundësohen edhe 3-4 javë në këtë rast”, tha gjyqtari Foniqi.

Ndërkaq, avokatja e të dëmtuarës, Fehmije Gashi- Bytyqi, pas seancës tha për KALLXO.com, se beson fuqishëm në atë se në momentin e kryerjes së veprës penale Artim Gashi ka qenë në gjendje të rregullt psikike.

“Përkundër pretendimit të avokatit mbrojtës të tij, unë si përfaqësuese e palës së dëmtuar konsideroj se Artim Gashi në momentin e kryerjes së veprës penale të tentim vrasjes së rëndë ka qenë në gjendje të rregullt psiqike ngase e gjitha është bërë me planifikim, me paramendim, me dashje, madje me revolen se ka qenë person zyrtar dhe i është besu zyrtare, me Glock”, tha avokatja e të dëmtuarës

Sipas avokates, lëndimet e klientes së saj janë të përjetshme. pasi ajo e ka humbur syrin përgjithmonë.

Avokatja përkujtoi se për shkak të lëndimeve të marra nga i akuzuari,  viktima ka pasur shumë ndërhyrje si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Sipas aktakuzës, ngjarja kritike ka ndodhur më 2 janar të këtij viti rreth orës 9:30, në rr. “Xhavit Ahmeti”, në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se i akuzuari pas një përgatitje paraprake e kishte përcjellë nga shtëpia të dëmtuarën, e cila ishte nisur për provim në Fakultet.

Më tej, aktakuza shpjegon se Gashi fillimisht e kishte ndaluar dhe ishte munduar që me dhunë ta fuste në veturë, mirëpo pasi e dëmtuara  kishte refuzuar, ai me qëllim që ta privojë nga jeta, me armën zyrtare, të llojit “GLOCK”, e ka goditur atë me një plumb në kokë, saktësisht në syrin e majtë, goditje kjo nga e cila të dëmtuarës ia këputë indet e syrit të majtë, plumbi depërton në tru duke ia shqyer cipën trunore, me ç‘rast I ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë me pasoja të përhershme për shëndetin.

Më pas, i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, ai ngarkohet me veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, si dhe të njëjtit i është konfiskuar arma e përmendur në dispozitivin e kësaj aktakuze.

I pandehuri në deklaratën e tij të dhënë në prokurori më 30 mars 2017, e kishte shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

Seanca është shtyrë për një datë të pacaktuar.

 

11,11 2017 teksti është edituar në përmbajtjen e emrit të të dëmtuarës