Teatri Kombëtar i Kosovës - Foto: Atdhe Mulla

Shtyhet Gjykimi i ish-Drejtores së Teatrit

Seanca fillestare e gjykimit të Elmaze Nurës që ishte drejtore e Teatrit Kombëtar dhe organizatorit të këtij teatri Beqir Beqiri është shtyrë për arsyen se i akuzuari Beqiri nuk kishte avokat.

Nura e Beqiri ngarkohen për shpërdorim detyre në lidhje me transportin e personelit dhe rekuizitave të një shfaqjeje nga Prishtina në Lubjanë.

Përpara se të shtyhet seanca, kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti vërejti që Beqir Beqiri nuk kishte avokat, ndërsa e pyeti atë se a e dëshiron një të tillë.

Beqiri kërkoi që të ketë avokat, ndërsa pas kësaj kërkese në pamundësi për ta vazhduar seancën, Shasivar Hoti shtyu seancën më 15 dhjetor.

Elmaze Nura akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare në cilësinë e drejtores së Teatrit Kombëtar pasi sipas prokurorisë duke mos respektuar dispozitat përkatëse të Ligjit për Prokurimin Publik nënshkroi kontratë për transportin e personelit dhe rekuizitave të shfaqjes “Lisistrata” nga Prishtina në Lubjanë dhe anasjelltas.

Kontrata sipas aktakuzës ishte nënshkruar me NTSh “Alpina Reisen”, ndërsa prokuroria pretendon se buxheti i Teatrit Kombëtar u dëmtua për 5 mijë euro.

Beqir Beqiri si organizator i teatrit akuzohet se ka ndërhyrë në dosjen e këtij tenderi, duke futur krahas “Alpina Reisen”-it edhe dy oferta të kompanive “Flutura Reisen” dhe “Beni Reisen” kinse ato kanë ofertuar për transportin e “Lisistratës”.

Regjinë e shfaqjes “Lisistrata” e ka bërë vetë e akuzuara Elmaze Nura.