Shtyhet Gjykimi i Naser Osmanit

Pasi gjykatësi njoftoi se prokurori Admir Shala mungon për shkak se është në një takim me një delegacion të Bashkimit Evropian për liberalizimin dhe për këtë mungesë shtyu seancën, deputeti Naser Osmani tha se edhe vetë kishte takime të tilla.

Një delegacion i tillë është paralajmëruar se do ta vizitojë Kosovën sot e nesër.

Deputeti Naser Osmani tha se e kishte një takim me një delegacion të huaj në lidhje me Organin Shqyrtues të Prokurimit, por e përshtati agjendën e tij për të marrë pjesë në seancë.

Osmani nga gjyqtari Shasivar Hoti kërkoi që të përshpejtohet procesi i gjykimit, duke pasur parasysh natyrën e punëss së tij.

Bashkë me deputetin Naser Osmani të akuzuar në këtë proces janë edhe  Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi dhe Agim Deshishku.

Gjykimi i Osmanit dhe të tjerëve lidhet me Fabrikën “FAN” në Podujevë.

Përveç Agim Deshishkut që është blerës i ndërmarrjes “FAN” në Podujevë, të gjithë të akuzuarit tjerë ishin zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në kohën për të cilën akuzohen.

Sipas aktakuzës Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të. Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar Ndërmarrjen e Re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime prokuroria pretendon se Osmani e Shabani kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkelzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga dhe Ardian Kelmendi në cilësinë e personave zyrtar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm të vetes ose blerësit të fabrikës “FAN” të Podujevës.

Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e  kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga dhe Ardian Kelmendi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim”.

Në seancën e kaluar më 16 shkurt avokatët kërkuan precizimin e aktakuzës, prandaj ajo nuk u lexua derisa të precizohej.

http://kallxo.com/shtyhet-gjykimi-i-naser-osmanit/

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN” akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim i përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.

Seanca e radhës është më 4 prill. [interaction id=”56ea7532703e265d18554e8d”]