Pamje nga një seancë e kaluar e gjykimit të Granit Elshanit - Foto: KALLXO.com

Shtyhet Gjykimi i Granit Elshanit

Seancat e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Granit Elshani, të parapara të mbahen më 4, 5, 6 dhe 7 dhjetor, janë shtyrë për muajin janar të vitit të ardhshëm.

Lajmin e ka bërë të ditur për KALLXO.com kryetari i trupit gjykues në këtë rast, Sami Sharraxhiu.

Ai tha se arsyeja e shtyrjes së gjykimit është se njëri nga anëtarët e trupit gjykues ka probleme shëndetësore.

Për shkak të kësaj, gjyqtari Sharraxhiu tha se gjykimi është caktuar të mbahet më 22, 23, 24 dhe 25 janar te vitit 2018.

Në seancën e kaluar, dëshmitarët treguan se ku ishte i akuzuari në natën kritike.

http://kallxo.com/deshmitaret-flasin-ku-ishte-granit-elshani-ne-naten-e-incidentit-ne-peje/

Granit Elshani akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se me 2 janar të vitit 2010 kishte hyrë në diskotekë “City Club” në Pejë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Siç përshkruhet në aktakuzë, në natën kritike Granit Elshani shënjestër të  vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por për fat të keq kishte pësuar Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Prokurori tutje në aktakuzë përshkuan se mes familjes Elshani e Kelmendi kanë ndodhur 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë –dhjetë pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Gjatë incidenteve, siç përshkruan prokurori, janë plagosur 38 persona, prej të cilëve pesëmbëdhjetë nga familja Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com nga filmimi i dorëzimit të Granit Elshanit vitin e kaluar në Policinë e Pejës dhe daljen e tij para gjykatës mund t’i gjeni në këtë link.