Nga një diplomim i studentëve të UP-së | Foto: KALLXO.com

Shtyhet Ceremonia e Diplomimit të Studentëve të UP-së

Ceremonia e shpërndarjes së diplomave për studentët e Universitetit të Prishtinës, e planifikuar të mbahej në muajin dhjetor është shtyrë për një afat të pacaktuar.

Në muajin dhjetor studentët e diplomuar të nivelit bachelor dhe master patën marrë njoftimin në faqen zyrtare të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” që në Sallën “1 Tetori” përmes një ceremonie do të bëhej shpërndarja e diplomave.

Sipas Teuta Pustina- Krasniqit, prorektore për bashkëpunim ndërkombëtar, ceremonia e diplomimit e planifikuar të mbahej me 7 dhjetor është shtyrë për shkaqe teknike.

“Ceremonia e diplomimit do të mbahet në të ardhmen e afërt. Për datën e saktë do t’i lajmërojmë mediat”, tha Pustina-Krasniqi për KALLXO.com.

Numri i saktë i studentëve që do t’i marrin diplomat nuk dihet, për shkak se shumë të tjerë do të diplomojnë edhe në afatin e janarit.

Gjatë kësaj periudhe studentët e interesuar mund t’i marrin diplomat e tyre, por në këtë rast ata më nuk do të jenë pjesë e ceremonisë së diplomimit.

Në qershor të vitit 2017 u organizua një ceremoni e diplomimit të studentëve të UP-së, gjatë së cilës foli edhe ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie.

http://kallxo.com/delawie-pres-te-lini-shenja-pozitive-ne-te-ardhmen-e-kosoves/

Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës në gusht të vitit që shkoi ndaloi çokollatat për anëtarët e komisioneve në ceremonitë e diplomimit.